5 Dhjetor, 2023 - 9:45 am
Vrasja e grave e dhuna sistematike e patriarkatit duhet të marrë fund! Femicidi, mizogjenia e maskuliniteti toksik vazhdojnë të na terrorizojnë përditshëm. Jeta e grave cenohet çdo ditë, në shtëpi, në rrugë, në punë, në hapësira publike e private.
Femicidi është urgjencë kombëtare. Është momenti i fundit që institucionet tona dhe shoqëria ta trajtojë me seriozitetin më të lartë vrasjen e grave e dhunën ndaj tyre, dhe të dënojë maksimalisht kriminelët përkitazi me ligjin.
Ndaj, më 7 dhjetor 2023 nga ora 12:00 marshohet nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të kundërshtuar shtypjen e vrasjen e grave nën moton “Stop Femicidit! #BollMa”, së cilës i paraprin performanca artistike “Hope Bubble” udhëhequr nga Donikë Ahmeti.
Vrasja e Liridona Ademajt ka shpërfaqur fytyrën e vërtetë të sistemit patriarkal. Nëse ndokush deri më tash ka pasur dyshime se femicidi nuk ekziston në Kosovë, vrasja e Liridona Ademajt është rast puro femicid: planifikim, organizim, ekzekutim.
Është momenti i fundit t’i japim fund femicidit.
Është momenti i fundit të sjellim drejtësi, e barazi gjinore.
Është momenti i fundit t’i japim fund patriarkatit, e bashkë me të edhe shtypjes.
Që të mos ketë Liridona të tjera, viktima të femicidit. / KultPlus.com