“Asgjë nuk mund t’i rezistojë sulmit të të qeshurës”

21 Prill, 2024 - 4:56 pm


Këshilla nga Mark Twein për një jetë të mirë.

Mund ta njihni Mark Twein nga disa prej librave të tij popullorë, si Aventurat e Hakwlberri Finit apo Aventurat e Tom Sojerit. Ai ishte shkrimtar, por edhe humorist, satirist dhe lektor.

Twein njihet mirë për shumë prej thënieve të tij shpesh herë të mbushura me humor. Ja disa prej këshillave që ai ka lënë.

1. Pranoje vetveten

“Një njeri nuk mund të ndihet rehat pa pranimin e vetes së tij”

Nëse nuk e pranon veten tënde, apo sjelljen dhe veprimet e tu, atëherë me siguri do të vish vërdallë gjithë ditën me një ndjesi parehatie. Nëse, nga ana tjetër, e miraton veten tënde, atëherë do të kesh prirjen të jesh i relaksuar si dhe të fitosh lirinë e brendshme për të bërë më shumë prej atyre gjërave që i do me të vërtetë.

Tani, kjo gjë ka potencialin të shndërrohet në një pengesë të madhe sa i përket zhvillimit personal. Mund të kesh gjithë mjetet e nevojshëm për t’u rritur personalisht, por në një farë mënyre ndien një si rezistencë të brendshme. Nuk shkon dot atje kudo.

Ato që ndesh mund të jenë barrierat e suksesit. Ti ngre barriera në mendjen tënde, për gjëra që mund ose nuk mund t’i meritosh. Apo barriera që të tregojnë se cfarë je i aftë të bësh.

Ato mund të të thonë se në të vërtetë nuk je lloji i personit që mund të bësh atë gjë për të cilën po përpiqesh. Ose, edhe nëse bën ndonjë farë përparimi në drejtimin ku je nisur, mund të fillosh të sabotosh vetveten. Për ta mbajtur veten në një vend që është i njohur për ty.

Kështu që, ke nevojë t’i japësh miratimin vetvetes dhe të lejosh që të jesh personi që dëshiron të jesh. Mos kërko miratim nga të tjerët. Vetëm nga vetja jote. Për ta shembur atë barrierë të brendshme apo për të hequr dorë nga ajo tendencë sabotuese. Nuk është e lehtë kjo dhe mund të kërkojë kohë.

2. Limitet e tua mund t’i kesh vetëm në mendje

“Mosha është një çështje e mendjes mbi rëndësinë. Nëse nuk e vret mendjen, atëherë nuk ka rëndësi”

Shumë kufizime i kemi thjeshtë në mendjen tonë. Për shembull, mendojmë që njerëzit nuk do të miratojnë sepse jemi shumë të gjatë, shumë të moshuar apo shumë qerosë.

Por këto janë gjëra që kryesisht kanë rëndësi atëherë kur ti MENDON se kanë rëndësi. Sepse nis të shqetësohesh për atë që njerëzit mund të mendojnë. Dhe njerëzit shfrytëzojnë pikërisht këtë gjë dhe mund të reagojnë në mënyra negative. Ose ti mund të interpretosh cdo gjë që ata bëjnë si një reagim negativ, për arsye se ke kaq shumë frikë prej një reagimi negativ, apo sepse je kaq shumë i fokusuar brenda vetes.

Ndërkohë që, nëse ti nuk e vret shumë mendjen, edhe njerëzit do të kenë prirjen të mos e vrasin kaq shumë mendjen. Dhe nëse nuk e vret mendjen, nuk do të lejosh këtë pjesë të vetes tënde të shndërrohet në një pengesë në jetën tënde.

3. Çelu dhe argëtohu

“Humori është bekimi më i madh i njerëzimit”
“Asgjë nuk mund t’i rezistojë sulmit të të qeshurës”

Humori dhe e qeshura janë mjete të mrekullueshme. Ato mund ta shndërrojnë çdo situatë serioze në dicka për të qeshur. Ato mund ta përmirësojnë gjendjen shpirtërore pothuajse kudo.

Dhe një gjendje shpirtërore më e mirë është zakonisht një hapësirë më e mirë për të punuar, për arsye se tashmë trupi dhe mendja jote nuk janë të mbushur me emocione negativë.

Kur je më i çelur dhe i relaksuar, atëherë zgjidhja për një situatë është shpesh herë më e lehtë për t’u gjetur dhe zbatuar.

4. Largoje zemërimin

“Zemërimi është një acid që i bën më shumë dëm enës ku ndodhet se sa cdo gjëje mbi të cilën derdhet”

Në pjesën më të madhe të kohës, zemërimi është i pakuptimtë. Mund të bëjë që situatat të dalin jashtë kontrolli. Dhe nga një këndvështrim egoist, ai është shpesh herë më i dëmshëm për të zemëruarin se sa për personin me të cilin ky është i zemëruar.

Kështu që, edhe pse ndihesh i zemëruar me dikë për ditë të tëra, kupto që më shumë po dëmton veten tënde. Personi tjetër mund të mos jetë as i vetëdijshëm që ti je i zemëruar me të. Kështu që, ose fol me personin dhe zgjidhe konfliktin, ose hiq dorë nga zemërimi sa më shpejtë të jetë e mundur.

5. Çliroje veten nga pretendimet

“Mos hajde vërdallë duke thënë që bota të ka borxh të jetuarit. Bota nuk të ka borxh asgjë. Ajo ka qenë aty para se ti të lindje”

Kur je i vogël, nëna dhe babai mund të të japin shumë gjëra. Ndërkohë që rritesh, mund të ndihesh sikur bota e ka për detyrë të të japë atë që ti dëshiron, apo që të ka borxh diçka. Ky lloj mendimi mund të shkaktojë shumë zhgënjim dhe zemërim në jetën tënde.

Sepse bota mund të mos të ta japë atë që ti pret prej saj. Nga ana tjetër, mund të jetë në të njëjtën kohë diçka çliruese. Sepse mund të kuptosh që je ti që duhet t’i japësh formë jetës tënde, drejt asaj që dëshiron.

Nuk je më fëmijë, që pret prindërt apo botën t’i japë diçka. Tashmë je në vendin e shoferit. Dhe mund të shkosh, pak a shumë, ku të duash.

6. Nëse merr një udhë të ndryshme, përgatitu për reagimet

“Një njeri që ka një ide të re, është një i fiksuar, deri kur ideja rezulton e suksesshme”.

Mendoj se kjo gjë ka shumë lidhje me vetëpërmirësimin. Nëse fillon të ndryshosh, apo të bësh diçka të ndryshme nga ajo që bën zakonisht, njerëzit mund të kenë reagime të ndryshëm. Disa mund të jenë të lumtur për ty. Të tjerë bëhen indiferentë. Të tjerët mund të jenë të çuditur, dhe reagojnë në mënyra negative apo shkurajuese.

Shumë prej reagimeve me shumë gjasa nuk kanë të bëjnë me ty, por me personat që i shprehin këta mendime dhe për jetët e tyre. Mënyra si ata ndihen për veten shprehet në fjalët që përdorin dhe gjykimet që bëjnë.

Dhe nuk është problem. Mendoj se ka shumë gjasa që ata nuk do të reagojnë aq negativisht sa ti e imagjinon. Ose ndoshta, shumë shpejt ata do të kthehen të fokusohen tek sfidat e tyre.

Kështu që, ajo që njerëzit mund të thonë dhe mendojnë, si dhe lejimi i këtyre që të të sprapsë, mund të jenë thjeshtë fantazi dhe barriera që ti vetë i ndërton në mendjen tënde.

Mund të zbulosh se, kur më në fund e kapërcen atë pragun e brendshëm që vetë e ke krijuar, atëherë njerëzit që ke përreth nuk do të të qortojnë apo të rendin me “cfurk” në dorë pas teje. Me shumë gjasë, thjeshtë do të të pranojnë.

7. Ruaje fokusin të qëndrueshëm në atë që dëshiron

“Largoji mendimet prej telasheve të tua… përmes veshëve, përmes thembrave, apo çfarëdolloj gjëje tjetër që mundesh”.

Ajo mbi të cilën ti e fokuson mendjen përcakton se si do të shkojnë gjërat. Mund të fokusohesh në problemet e tua dhe të zhytesh në vuajtje dhe një mentalitet viktime.

Ose mund të fokusohesh në anën pozitive të një situate, në atë që mund të mësosh prej një situate, apo thjeshtë ta fokusosh mendjen në diçka krejt tjetër.

Mund të jetë normale të “zhytesh” në probleme dhe të notosh në një det negativiteti. Por kjo është një zgjedhje. Si dhe një zakon i të menduarit. Mundesh që ta kesh refleks të zhytesh në probleme, në vend që ta rifokusosh mendjen në diçka më të dobishme. Por mund të zhvillosh edhe zakonin e të mësuarit që të marrësh gjithnjë e më shumë kontrollin se ku e vendos fokusin.

8. Mos u fokuso aq shumë për ta bërë veten të ndihesh mirë

“Mënyra më e mirë për të ngritur humorin tënd është të përpiqesh të ngresh humorin e dikujt tjetër”.

Mund të jetë një këshillë jo shumë e besueshme. Por, një prej mënyrave më të mira që të ndihesh mirë me vetveten është të bësh dikë tjetër të ndihet mirë, apo ta ndihmosh në një farë mënyre.

Kjo është një mënyrë shumë e mirë për t’i parë gjërat, për të krijuar një spirale pozitiviteti dhe shkëmbimi vlerash mes njerëzve.

Ti ndihmon dikë dhe të dy ndiheni mirë. Personi që ndihmove ndihet i prirur të të ndihmojë më vonë, përderisa njerëzit kanë prirjen të jenë reciprokë. E kështu të dy ndiheni më mirë dhe ndihmoni njëri-tjetrin.

Këto ndjenja pozitive janë ngjitëse tek të tjerët e kështu mund të përfundosh duke i bërë dhe ata të ndihen më mirë. E kështu ndihma që more mund të të frymëzojë të shkosh e të ndihmosh dikë tjetër. Kështu spiralja e pozitivitetit vazhdon.

9. Bëj atë që do të bësh

“Pas 20 vjetësh do të jesh më i zhgënjyer me gjërat që nuk ke bërë, se sa prej gjërave që ke bërë. Kështu që, “hiqe litarin”.

Lundro larg prej portit të sigurtë. Kap erën për velat e anijes tënde. Eksploro. Endërro. Zbulo”.

Këshillë e mrekullueshme. Dhe kësaj vërtetë që nuk ke shumë për t’i shtuar. Ndoshta duhet shkruajtur dhe mbajtur si kujtesë e përditshme… për atë që je në gjendje të bësh në jetën tënde./KultPlus.com

Të ngjajshme