27 Shtator, 2023 - 7:09 pm
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka reaguar pas sulmit të grupeve kriminale serbe në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku, përcjell KultPlus.
Në reagimin në faqen zyrtare në Facebook, ASHAK dënon këto akte terroriste të Serbisë, të drejtuara kundër sovranitetit të shtetit të Kosovës.
Në vijim gjeni postimin e plotë të Akademisë së Shkencave:
Reagim i Akademisë për zhvillimet e fundit në Kosovë
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Kryesia e saj, është duke ndjekur me shqetësim ngjarjet më të fundit në veriun e Kosovës. Ndihemi thellësisht të indinjuar me këto zhvillime, me sulmet e koordinuara terroriste mbi institucionet e Republikës së Kosovës, mbi sovranitetin dhe integritetin e saj dhe jemi njëkohësisht mbështetës të palëkundur të veprimeve të domosdoshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të organeve të rendit dhe të sigurisë, të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare. I dënojmë me ndjenjën më të fuqishme të revoltës dhe indinjatës këto akte terroriste të Serbisë, të drejtuara kundër sovranitetit të shtetit të Kosovës, kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kundër rendit të saj kushtetues. Ne kemi tërhequr vërejtjen me shumë se një herë, se Serbia është kthyer në faktorin kryesor destabilizues të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. “Bota serbe”, versioni ballkanik i “botës ruse”, nga një program nacionalist i institucioneve akademike është kthyer tashmë në kredo politike dhe ideologjike të institucioneve shtetërore dhe vendimmarrëse të Serbisë. Jemi po ashtu të shqetësuar që një akt terrorist, siç është ky i fundit, synohet të përdoret si pretekst nga qarqe arriviste shqiptare, për të “ridizajnuar” historinë, tashmë të përmbyllur, të themelimit të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, ndihemi të prekur nga humbja e jetës së oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut. Bashkëndjejmë me të afërmit dhe familjen e të ndjerit dhe përulemi para sakrificës dhe ndjenjës së përgjegjësisë të çdo mbrojtësi të rënë për liri dhe sovranitet.
Kryesia e Akademisë
Prishtinë, më 25 shtator 2023/KultPlus.com