6 Prill, 2020 - 6:30 pm
Një grua mund të ketë qenë frymëzimi i Sokratit, filozofit të Greqisë së Lashtë, për idetë e tij për të vërtetën, dashurinë, drejtësinë, kurajën dhe dijen.
Një libër i studiuesit britanik Armand D’Angour, profesor në Universitetin e Oksfordit, konkludon se një grua e zgjuar, e quajtur Aspasia e Miletusit, ka ndikuar idetë e një prej figurave themelore të filozofisë perëndimore. Në studimin me titull “Sokrati i dashuruar – formimi i një filozofi”, thuhet se, si djalë i ri në Athinën e shekullit të pestë para Krishtit, Sokrati u njoh me Aspasinë, idetë e të cilës mbi dashurinë dhe transhendecën e ndihmuan të formulonte disa aspekte të ideve të tij.
Nëse pranohen dëshmitë që mbështesin këtë tezë, historia e filozofisë mund të marrë një kthesë të rëndësishme: një grua, që historia nuk e ka njohur, duhet pranuar si themeli i traditës filozofike 2500-vjeçare të njerëzimit.
Një pikturë neoklasike e piktorit të shekullit XIX, Nikolas Monsiau, e shfaq Sokratin të ulur në një tavolinë me Aspasinë e veshur bukur dhe me shije. Ushtari i ri dhe i bukur Alcibiades e shikon. Piktura paraqet imazhin standard të Sokratit: i varfër dhe i shëmtuar.
Por, Sokrati, siç thuhet më vonë nga Platoni, ka mësuar nga elokuenca e Aspasisë, e cila për më shumë se një dekadë ishte partnerja e drejtuesit të Athinës së asaj kohe, Perikleu. Me shumë gjasa, një kurtizane e arsimuar, Aspasia shfaqet në pikturë duke numëruar me gishta pikat e një fjalimi. Shikimi i saj është përqendruar te aristokrati i ri Alcibiades, i cili mund të ketë qenë nipi i madh i saj.
Sokrati është i famshëm për shprehjen e tij: E vetmja gjë që di është se nuk di asgjë. Por, Platoni, në veprën e tij “Simpozium”, thotë se ai është shprehur se e mësoi “të vërtetën për dashurinë” nga një grua e zgjuar.
Kësaj gruaje i është dhënë emri “Diotima” dhe në veprën “Simpozium”, shpjegohet doktrina e saj.
Studiuesit e kanë hedhur poshtë pothuajse të gjithë Diotimën, duke e quajtur një fiksion. Në dialogje, ajo përshkruhet si një priftëreshë dhe mendohet në rastin më të mirë të ketë qenë një figurë alegorike, e cila e ka drejtuar një mendimtar si Sokrati të misteret e dashurisë.
Por, Platoni jep disa të dhëna të çuditshme për identitetin e Diotima-s, detaje të cilat deri më tani nuk janë sqaruar. Teza e ngritur nga Armand D’Angour e sheh Diotimën si një maskim i hollë, pas të cilit qëndron Aspasia.
Aspasia vinte nga një familje athinase, e lidhur me atë të Perikliut, e cila ishte vendosur në qytetin grek të Miletos dekada më parë. Kur emigroi në Athinë rreth vitit 450 para Krishtit, ajo ishte rreth moshës 20 vjeçare. Në atë kohë, edhe Sokrati ishte rreth 20 vjeç.
Disa vjet më vonë, Aspasia u lidh me Perikliun, i cili ishte atëherë një politikan kryesor në Athinë – dhe kishte dyfishin e moshës së saj. Por një nxënës i Aristotelit, Clearchus, shkruan se “para se Aspasia të bëhej shoqëruesja e Perikliut, ajo ishte me Sokratin”. Kjo përputhet me dëshmi të tjera sipas të cilave, Sokrati ishte pjesë e rrethit të Perikliut. Pa dyshim, ai do të njihej me Aspasinë në atë mjedis.
Duke qenë se ai ishte pjesë e kësaj elite të privilegjuar në rininë e tij, çfarë e nxiti Sokratin t’i shmangej materiales dhe të merrej me filozofi? Askush nuk e ka gjurmuar kurrë trajektoren e Sokratit në rininë e tij, sepse të dhënat biografike janë fragmentare dhe duket se nuk përbëjnë shumë interes për idetë e tij. Por, meqenëse Sokrati u bë i njohur në Athinë si filozof që në moshën 30-vjeçare, periudha më e hershme është ajo ku mund të kërkohen dëshmi të ndryshimit të drejtimit të tij, për t’u bërë mendimtari që njihet edhe sot. D’Angour argumenton se kjo kthesë lidhet direkt me njohjen e Sokratit me Aspasinë.
Aspasia ishte një nga gratë më të zgjuara dhe më me influencë në atë kohë. Partnere e Perikliut për rreth 15 vjet, ajo është përmendur dhe fyer nga dramaturgët komikë të kohës, që në atë kohë kishin të njëjtin rol si gazetarët e tabloideve sot. Pjesë e rrethit të mendimtarëve, artistëve dhe politikanëve të Perikliut, ajo përshkruhet nga Platoni, Ksenofoni dhe të tjerë si një instruktore e admiruar elokuence dhe këshilltare martesash.
Në dialogun e Platonit, “Menexenus”, ajo përshkruhet teksa i mësonte Sokratit si të mbante një fjalim në funeral – ashtu siç mendohet se kishte mësuar edhe Perikliun. Me fjalë të tjera, ajo njihej për aftësitë e saj në të folur dhe, si “Diotima”, në veçanti në fjalimet për dashurinë.
A mund të ketë ndodhur që Sokrati dhe Aspasia të kenë rënë në dashuri kur u takuan dhe të kenë biseduar për herë të parë në të njëzetat e tyre? Fakti që Platoni i jep Aspasisë autoritet të konsiderueshëm intelektual mbi Sokratin, ka alarmuar gjenerata të tëra dijetarësh, të cilët në masë të madhe e kanë hedhur poshtë këtë skenar.
Ndërkohë, ata kanë preferuar ta konsiderojnë Aspasinë një “drejtuese bordelli dhe prostitutë”, nëse sheh citimet e poetëve komikë të kohës. Në rastin më të mirë, studiuesit e kanë ngritur Aspasinë në nivelin e një hetaria, pra një kurtizane.
Nëse pranojmë dëshminë se Aspasia ishte, si “Diotima”, instruktorja autoritare e elokuencës dhe një eksperte për çështjet e dashurisë – në vend që të ishte një prostitutë e zakonshme apo edhe një kurtizane me influencë – kjo krijon një mundësi e habitshme. Nocionet që i atribuohen Diotimës te “Simpoziumi” janë thelbësore për filozofinë, si dhe për mënyrën e jetesës që promovonte Sokrati.
Doktrina e vënë në gojën e Diotimës mëson se aspekti fizik mund dhe duhet të lihet mënjanë në favor të idealeve më të larta; që edukimi i shpirtit, jo kënaqësia e trupit, është detyra kryesore e dashurisë; dhe se e veçanta duhet t’i nënshtrohet të përgjithshmes, e përkohshmja të përhershmes, dhe e përbotshmja idealit.
Këto ide mund të pranohen si tabani ku qëndrojnë rrënjët e traditës filozofike perëndimore. Nëse është kështu, identifikimi i figurës fiksionale Diotima si Aspasia e vërtetë, na çon në një konkluzion historik sensacional. Në retrospektivë, dështimi për t’u parë qartë figura e saj duhet t’u atribuohet paragjykimeve të ndërgjegjshme ose të pandërgjegjshme për statusin dhe kapacitetet intelektuale të femrës.
Pra, siç konkludon D’Angour, ndoshta ka ardhur koha për t’i dhënë Aspasisë së bukur, dinamike dhe të zgjuar, statusin që i takon si një nga themelueset e filozofisë evropiane./telegrafi
Nga: The Conversation