23 Korrik, 2020 - 8:30 pm
Shkruan: Kushtrim Bekteshi
Çështja e lirisë së individit padyshim përbën njërën nga çështjet më të rëndësishme të trajtimit sociologjik, psikologjik e filozofik qysh prej kohësh. Do të ndalemi në atë se si struktura e shoqërisë moderne ndikon mbi njeriun në dy mënyra njëkohësisht; individi bëhet më i pavarur, i vetëmjaftueshëm dhe kritik dhe në të njejtën kohë bëhet më i izoluar, i vetëm dhe i frikësuar. Në luftën moderne për liri vëmendja u përqendrua kryesisht tek format e vjetra të autoritetit dhe shtrëngimit dhe në këtë mënyrë synohej që duke eleminuar format e vjetra të shtrëngimit liria do të rritej në mënyrë të vazhdueshme. Mirëpo kjo nuk do të thotë që me eleminimin e formave të vjetra të shtrëngimit arrihet liria në kuptimin e plotë të fjalës, ngase pastaj dalin armiq të rinjë të cilët për dallim nga të vjetrit nuk kanë të bëjnë me shtrëngime të jashtme, por dalin faktorë të brendshëm të cilët bllokojnë realizimin e plotë të lirisë së personalitetit. Në këtë kontekst shumë herë mendohet se liria e fjalës është hapi i fundit në ecjen fitimtare drejt lirisë. Mirëpo anashkalohet një fakt tjetër tejet i rëndësishëm në këtë rrafsh, ai se njeriu modern ndodhet në një situatë ku një pjesë e madhe e gjërave që ai thotë konsiston në gjëra të cilat në fakt i thonë edhe të tjerët dhe ai ende nuk e ka fituar aftësinë për të menduar në mënyrë origjinale. Shoqëria moderne ka mbetur e mahnitur përballë lirisë nga forcat jashtme që ka, por ka mbetur e verbër përballë frikave dhe pengesave të brendshme të cilat synojnë të minojnë kuptimin e fitoreve të reja që liria ka sjellur kundër armiqëve tradicional. Duhet patur parasysh fakti se çdonjëra nga liritë e fituara deri më tani duhet të mbrohen në mënyrë permanente, por mbi këtë bazë duhet të dimë se problemi i lirisë nuk është vetëm sasior, por edhe cilësor; pra jo vetëm që duhet të ruajmë dhe shtojmë lirinë tradiconale, por edhe duhet të fitojmë një tip i ri lirie që lejon realizimin e personalitetit tonë individual.
Shoqëria kapitaliste kishte një plan intelektual, social dhe politik për ta çliruar njeriun shpirtërisht. Baza e zhvillimit të saj ishte liria ekonomike kurse klasa e mesme ishte mbrojtësja e saj. Njeriut tani i lejohej madje kjo edhe pritej prej tij që të kishte sa më shumë sukses në kuptimin e fitimit ekonomik deri në atë shkallë ku njeriu e shihte të arsyeshme. Kurse në sistemin feudal individi vepronte brenda atyre kufijëve të cilët i ishin përcaktuar atij qysh para lindjes. Gjatë kapitalizmit njeriu u bë gjithnjë e më i lirë nga lidhjet e tij me natyrën, i mbisundoi forcat natyrore në një mënyrë të paparë dhe padëgjuar më parë. Bota u bë gjithnjë e më e lirë nga mistifikimet, njeriu filloi ta shihte atë më objektivisht dhe gjithnjë e me më pak iluzione. Madje gjatë kësaj epoke u rrit edhe liria politike dhe kjo sapo të fitohet krijon mundësi të mëdha për progress ekonomik. Kulmi i evolucionit të lirisë në sferën politike ishte shteti modern demokratik i cili ishte i bazuar mbi brazinë e të gjithë njerëzve dhe mbi të drejtën e secilit për të marrë pjesë në qeveri përmes përfaqsuesve të zgjedhur prej tyre. Supozohej që secili mund të vepronte sipas interesave të tij, por njëkohësisht të kishte parasysh të mirën e përbashkët e kombit që i përkiste. Pra, kapitalizmi jo vetëm që i liroi njerëzit nga lidhjet tradicionale, por edhe shtoi lirinë pozitive në zhvillimin e personalitetit aktiv, kritik dhe të pëgjegjshëm. Por përkundër kësaj në të njejtën kohë e bëri individin më të vetmuar më të izoluar dhe me një ndjenjë pafuqie e pasigurie në vetëvete.
Një nga pikat kyçe në të cilën kapitalizmi e shtyu njeriun drejt individualitetit ishte në sistemin ekonomik më saktësisht parimi i aktivitetit individualist. E themi këtë duke u bazuar në faktin se në sistemin feudal njeriu zinte një post të fiksuar në një sistem shoqëror të renditur dhe transparent, kurse ekonomia kapitaliste e çoi individin në nevojën për t’u drejtuar vetëm. Gjithë atë që bënte mënyrën si e bënte se çfarë arrinte ishin plotësisht çështje që i përkisnin vetëm individit dhe kjo bënte që në masë të madhe të përparonte procesi i individualizimit. Ngase, të sublimohej ky parim që gjithçka që bënte njeriu t’i përkisnin vetëm atij nënkuptonte që njeriu të cungohej nga marrëdhëniet e tij me individët e tjerë, prandaj e izolonte dhe e ndante atë nga njerëzit e tjerë. Tërë ky individualizëm sipas Frommit derivon nga mësimet e Reformës. Protestantizmi e detyroi individin ta përballonte forcën e zotit i vetëm . Individi nuk mund të bënte tjetër veçse të ndihej i ndrydhur dhe të kërkonte të shpëtonte duke u nënshtruar plotësisht. Nëse e marrim në aspektin psikologjik ky individualizëm shpirtëror që njeriu e përjetoi në epokën e reformës nuk dallon shumë nga individualizmi ekonomik që po e përjeton në kapitalizëm, vetëm se dimensioni është ndryshëm, por shtypja metet e njejtë. Pra, vet kapitali ndryshoi dimensionin e tij varësisht nga sistemi: në sistemin mesjetar kapitali ishte në shërbim të njeriut, ndërsa në atë modern kapitali është bërë pardon i njeriut. Njeriu mesjetar dhe ai kapitalist kishin botëkuptime krejt të ndryshme sa i përket çështjes së aktivitetit ekonomik. Për njeriun mesjetar aktiviteti ekonomik dhe vullneti për të fituar ishte tërësisht irracional, kurse për njeriun që i përket epokës kapitaliste mungesa e aktivitetit ekonomik dhe dëshirës për të fituar i dukej irracionale. Në kapitalizëm aktiviteti ekonomik, suksesi, përfitimet materiale bëhen qëllime në vetvete.
Pra lirinë e re që e solli kapitalizmi është pasojë e lirisë fetare të protestantizmit që e ushtroi mbi individin. Individi u bë më i vetmuar, më i izoluar, u bë një instrument në duart e forcave të jashtme shtypëse u bë një individ, por një individ konfuz dhe i pasigurt. Por njeriu disi e gjente njëlloj ngushëllimi tek disa faktorë të cilët bënin që njeriu të kapërcente shfaqjen e kësaj pasigurie shtypëse. Zotërimi i të mirave materiale ishte një faktor esencial në këtë kontekst. Njeriu mishërohej me pronën e tij dhe sa më pak i rëndësishëm që ndihej në shoqëri aq më shumë ndihej nevoja për të pasur pronë. Përveç të mirave materiale edhe prestigji dhe pushteti ishin faktorë të cilët mbanin unin. Pjesërisht mund të themi se të dy këta faktorë derivojnë nga i pari dhe suksesi direkt në fushat ku dominon konkurenca. Prandaj admirimi nga ana e të tjerëve, pushteti mbi ta dhe mbështetja që vjen nga prona i shërbejnë si mbështetje njeriut të pasigurtë. Ndërsa për njerëzit të cilët nuk kishin mjaftueshëm pronë dhe prestigj shoqëror, burim kryesor i prestigjit personal ishte familja.Vetëm aty një individ i tillë mund të ndihej ‘’dikush’’.
Përveç Errich Frommit edhe Herbert Marcuse u mor me një trajtim psikologjik të aspektit të lirisë njerëzore. Markuse tratimin e tij e mbështetë kryesisht tek origjinat e shtypjes: ontogjeneza (shtypja që ndodhë në fëmijëri) dhe filogjeneza ( shtypja nga plani social). Fillimisht duhet cekur shtresat kryesore psikike që janë: esi, uni dhe superuni ku duket se rreth tyre sillet shtypja e trajtuar në këtë rast nga Marcuse. Shtresa bazë në psikikën e njeriut është esi, kjo shtresë nuk njeh kufij. Esi është i lirë nga format dhe parimet të cilat e përbëjnë individin social dhe të ndërgjegjshëm. Ai nuk njeh të mira as të këqija e as moral. Esi nuk lufton për asgjë tjetër përveç kënaqjes së nevojave të veta instiktive në harmoni me instiktin e kënaqësisë. Por shoqëria është e organizuar në atë mënyrë saqë një individ me tipare të tilla nuk do t’i shpëtonte asgjësimit. Prandaj duke e parë këtë një pjesë e esit e cila ka organe për receptimin e stimujve zhvillohet dhe bëhet un. Uni pra, shërben si ndërmjetës ndërmjet esit dhe botës së jashtme. Dhe mbi këtë bazë uni ka për detyrë që të kontrollojë dhe tjetërsoj impulset e esit dhe t’i bëjë ato sa më të pranueshme për ambientin e jashtëm. Në këtë mënyrë uni e zhvleftëson parimin e kënaqësisë që ushtron presion mbi proceset që zhvillohen në es dhe e zëvendëson atë me parimin e realitetit. Gjithë ky proces vë në dukje faktin se si njeriu duhet të heqë dorë nga instiktete tij bazë përfshirë edhe atë të kënaqësisë vetëm e vetëm që të jetë i pranueshëm në shoqëri, për të mos thënë për të shpëtuar nga kjo shoqëri. Marcuse thotë se për gjetjen e origjinave të shtypjes duhet shkuar për tek origjina e shtypjes së instikteve që ndodhë përgjatë fëmijërisë. Parimi i realitetit e përmbushë veprën e tij tek fëmija dhe këtë e bën me aq pakujdesi saqë veprimet e njeriut të pjekur nuk janë gjë tjetër veçëse përsëritje të eksperiencave dhe reagimeve fëmijërore. Eksperiencat e caktuara të fëmijës janë eksperienca të species, kështuqë individi jeton fatin universal të njerëzimit. E shkuara përcakton të tashmen , sepse individi ende nuk ka arritur ta mbizotërojë historinë e vet.