19 Korrik, 2022 - 2:29 pm
Anton Logoreci, shkrimtari, gazetari, diplomati dhe atdhetari i pashoq i mbetur gjithmonë në kërkim të një rruge, e cila të ndihmonte kombin në çështjet e tij më të prekshme.
Sigurisht që vuajtjet më të mëdha do t’i shikonte me ardhjen e komunistëve në krye të vendit dhe e gjithë kjo si rezultat i komenteve e kritikave që ai ka përcjellë përmes Radio Londrës, e ajo që kaloi çdo gjë mbi supe ishte familja e tij që Shkodër që kaloi një kalvar shumë të gjatë mundimesh duke u endur burgjeve dhe duke u diskriminuar sa herë që jepej mundësia.
Pjetër Logoreci na sjell në kujtesë edhe një herë këtë figurë të madhe me gjithë çfarë kjo familje ka kaluar.
“Dekadat e diktaturës i mohuan kulturës sonë kombëtare një mision veprues shumë të fuqishëm, atë të diasporës.
Një element me vlerë të kësaj hapësire kulturore që pret t’i pohohet sa më shpejt kulturës kombëtare dhe të vetëdijësohet sa më parë në ndërgjegjen popullore, sidomos në atë të rinisë, e përbën trashëgimia shpirtërore e Anton Logorecit.
Ky personalitet i fuqishëm i kulturës sonë i takon asaj radhe intelektualësh shqiptarë që, e kuptoi dëmin kombëtar të komunizmit dhe iu kundërvu atij me gjithë aftësinë intelektuale, vullnetin shpirtëror dhe zjarrminë e pasionit.”
E nisa shkrimin tim mbi intelektualin e atdhetarin Anton Logoreci me këtë pasazh shumë domethënës nga një artikull i botuar në shtypin shqiptar nga studiuesi i njohur shkodran Anton Cefa, me titull: Anton Logoreci, përfaqësues i denjë i kulturës së diasporës shqiptare.
Intelektuali Anton Logoreci ose Ndoci, siç e thërrisnin shkodranët, lindi në Shkodër më 19 korrik 1910, në një familje me tradita atdhedashëse.
E ëma Maria, bijë nga familja elitare Toska, pati nëntë fëmijë, shtatë djem dhe dy vajza, ndër të cilët Antoni ishte fëmija i parë.
I ati, Pjetri, për të ushqyer familjen e madhe punonte si argjendar, por ishte dhe shumë aktiv në lëvizjet politike e shoqërore të kohës.
Për këtë, gjatë qeverisjes së tij, Noli e emëroj atë nënprefekt të Malësisë së Madhe, ndërkohë që vëllezërit e tij Matia e Paloka, i ishin përgjigjur thirrjes së xhaxhait të tyre, Arqipeshkvit të Shkupit Andrea Logoreci, për të punuar si mësues për përhapjen e arsimit e gjuhës shqipe në Kosovë ( Prizren e Gjakovë).
Që fëmijë, Antoni, pati kontakte me figura madhore të rilindjes sonë kombëtare si Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ndre e Lazer Mjeda, të cilët ishin miq të familjes, por dhe farefis (Ndre e Lazër Mjeda) me Logorecët.
Ai nisi mësimet në kalasat fillore të etërve françeskane, për të kaluar më vonë, në klasat për të rritur të kolegjit jezuit të qytetit të Shkodrës. Si fëmijë, Antoni, ishte gjithmonë aktiv dhe premtonte një personalitet të spikatur artistik e letrar.
Ai ishte një nder fëmijët e talentuar, pjesë e grupit teatror të shkollës, ku arriti të shpalosë dëshirën e pasionin e tij për skenën ndër rolet e melodramave historike e patriotike që luheshin në kolegj.
Në një shënimin biografik për Logorecin, z. Fan Sotir Kristo, shqiptaro amerikani i njohur nga Bostoni, shkruan në volumin 12 të Buletinit Katolik Shqiptar të botuar në San Francisko si dhe në rrjetin amerikan informativ FROSINA këto kujtime: “…
Gruaja ime Jane dhe unë patëm fat, shumë vite më parë, për të takuar Anton Logorecin në Londër gjatë vizitave tona në atë qytet historik ku shpejt u bëmë miq të mirë me të dhe me gruan e tij të bukur, Doreen me të cilën ai u njoh ne BBC, ku punuan së bashku gjatë luftës së dytë botërore.
Anton Logoreci,… ishte thesari më i fundit që i jepej botës nga një familje katolike shqiptare.
Të afërm të familjes së tij ishin, Arqipeshkvi i Shkupit Andrea Logoreci, prindërit e Nënë Terezës, Mati Logoreci xhaxhai i tij, i cili punoi shumë për të ruajtur kulturën shqiptare në Kosovë dhe për të ndihmuar në formulimin e një alfabeti të përbashkët për gjuhën shqipe.
Gjatë fëmijërisë së tij Antoni ndoqi në Shkodër shkollën fillore françeskane, ku dhe shërbeu në altarin e kishës së Shën Antonit, aty afër. Ai si fëmijë i pat shërbyer rregullisht Meshës së At Gjergj Fishtës, autorit të madh shqiptar dhe poetit laureat.”
Në vitin 1922, me themelimin nga Kryqi i Kuq Amerikan të Kolegjit Teknik Amerikan në Tiranë, familja e dërgoj Antonin në këtë kolegj, i cili ndikoj shumë në formimin perëndimor të tij.
Ambienti, gjuha angleze, programi mësimor, aktivitetet e shumta si dhe mësuesit e specialistët e shkollës ishin elemente të fuqishëm në përegaditjen e shumë anëshme mësimore e disiplinore të çdo studenti, që do t’i shërbente më pas për të krijuar bazat e një karrierë të fuqishme.
Përveç përegaditjes së një kaste teknikësh që më vonë do ti shërbente rindërtimit të vendit në të gjitha fushat, Kolegji qe një nga bazat e fuqishme të krijimit të elementeve përparimtare që me kulturën e marrë aty i tregonin botës se vinin nga një shoqëri e emancipuar dhe e denjë evropiane.
Antoni me sjelljen e talentin e tij letrar u bë një ndër studentet e zgjedhur të drejtorit Fultz i cili drejtonte kolegjiumin e redaksisë të revistës së shkollës LABOREMUS, të cilën e kishte krijuar vetë.
Antoni ishte një nder redaktorët e revistës, por edhe shumë aktiv me shkrimet e tija në këtë organ.
Falë inteligjencës së tij, kjo periudhë i shërbeu atij që të kuptonte sekretet e shkrimit në prozë, që më pas e ndihmoi për punën e tij të përherëshme në Radio Londra, por edhe për të shkruar artikuj, tregime, novela e libra të suksesshëm.
Pasi u diplomua në vitin 1927, Antonit ju dha mundësia të ishte shoqërues dhe përkthyes i gjeneralit britanik Jocelyn Percy të cilin Presidenti Zog e ngarkoj me organizimin dhe trajnimin e xhandarmerisë shqiptare.
Puna në skuadrën e gjeneralit anglez e ndihmoj Logorecin të krijojë një këndvështrim të saktë për demokracinë, diplomacinë, politikën e po ashtu të përcaktonte rrugën e studimeve dhe karrierës së tij të ardhshme.
Pasi përfitoj një bursë, për rezultate të larta, nga shteti, në vitin 1937 filloj studimet dhe u diplomua për ekonomi e shkenca politike në universitetin shtetëror në Londër, LSE (London School of Economics and Political Science), një nga universitetet më në zë të botës nga ku dolën personalitete të politikës botërore, shumë mbajtës të çmimit Nobël, sipërmarrës nga më të suksesshmit e botës, gazetarë të famshëm si dhe dhjetëra profesorë që mësuan pastaj në gjithë anët e globit.
Në Shqipëi, Antoni, edhe pse në moshë të re, arriti të krijojë lidhje të shumta me personalitete të shquara të kohës nga të gjitha fushat si Edith Durham, Ernest Koliqi, Branko Merxhani, Ismet Toto, Tajar Zavalani, Eqerem Cabej, Karl Gurakuqi, Petro Marko, Odise Paskali…
Ai kishte një bashkëpunim të përhershëm, nëpërmes botimeve të tija, me revistat dhe gazetat shqiptare të kohës. NOLOGUS ishte pseudonimi me të cilin ai u paraqit me shkrimet e tija në organet e shtypit, si mbrenda dhe jashtë vendit.
Në vitin 1940, qeveria angleze, duke vlerësuar situatën e krijuar ndërkombëtare, vendosi të hapë një program në gjuhën shqipe në rrjetin njohur BBC.
Kjo dritare informacioni do ti shërbente shqiptarëve të cilët vuanin nën pushtimin fashist për të kuptuar situatën e luftës por edhe për tu ndergjegjësuar kundër okupatorit.
Me propozimin e sekretarit të ambasadës shqiptare Dervish Duma, drejtimin e këtij programi e mori Anton Logoreci. Duma e njihte mirë Logorecin, qysh në shkollën e Fultzit, ato ishin miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë, në të mirë të Shqipërisë, gjithë jetën.
Nuk ka shqiptar që të mos e ketë dëgjuar çdo mbrëmje zërin e Anton Logorecit nga qendra transmetuese e BBC¬së, që ishte një institucion edukimi politik e demokratik edhe për të.
Ai aty nuk punoi si folës i thjeshtë por edhe si komentator, si përgjegjës i sektorit për Shqipërinë e më vonë si përgjegjës i BBC-se per sektorin e tërë Evropës Lindore“, shkruan Albulena Stojaku në shtypin shqiptar në artikullin: NOLOGUS, NJE PERSONALITET I HARRUAR… dedikuar Anton Logorecit. / KultPlus.com