30 Tetor, 2021 - 1:45 pm
Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në aktivitetin përmbyllës kundër kancerit të gjirit, iu ka bërë thirrje grave që t’u nënshtrohen kontrolleve të vazhdueshme në mënyrë që të parandalojnë këtë sëmundje.
“Përmes këtij aksioni simbolik ne kemi dashur të shprehim përkrahjen dhe mbështetjen tonë ndaj të gjithëve të prekurve kundër kancerit të gjirit, dhe njëherit ju bëjmë thirrje të gjithëve dhe veçanërisht grave që t’u nënshtrohen kontrolleve të rregullta, kontrolleve sistematike, si mënyra më e mirë për të parandaluar këtë sëmundje, sepse një kontroll e rregullt te një specialist do të nënkuptonte jo vetëm zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje, por njëherit do të nënkuptonte trajtimin më të mirë, dhe një luftë me efikase kundër kancerit të gjirit”, theksoi Jahjaga.
Tutje, Jahjaga tha se gjendja ka qenë më e vështirë më parë në Qendrën Klinike Universitare, por tani janë të gjitha kushtet e duhura, transmeton Klankosova.tv.
“Disa vite më parë ka qenë më vështirë, por tani duke pasë parasysh që në Qendrën Klinike Universitare janë të gjitha pajisjet, teknologjia e kohës së fundit, janë mjekët dhe motrat që janë të trajnuara dhe të specializuara, njëherit kemi edhe monografinë mobil, i cili është në dispozicion të kontrolleve të vazhdueshme, ju bëjmë thirrje grave që t’u nënshtrohen të gjitha këtyre kontrolleve, sepse kjo do nënkuptonte shpëtimin e jetës”, tha Jahjaga.
Ajo në fund tha se një skanim vjetor do të nënkuptonte zbulimin e hershëm dhe shpëtimin e jetës. / KultPlus.com