Atlantiku asnjëherë kaq i nxehtë në 3 000 vjet

13 Tetor, 2020 - 4:55 pm

Ndonëse ka ende nevojë për konfirmim të ndryshimit të vazhdueshëm të klimës dhe efektet e tij, mbërrijnë dy studime të reja për ta vërtetuar atë.

E para, nga Universiteti i Massachussets dhe botuar në revistën e Akademisë Amerikane të Shkencave, PNAS, që tregon se dekada e fundit ka qenë më e ngrohta për oqeanin Atlantik në 2 900 vitet e fundit.

E dyta, një raport nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Reduktimin e Rrezikut nga Katastrofat, UNSDIR, që tregon se ndryshimi i klimës është fajtori kryesor në dyfishimin e katastrofave natyrore të botës në 20 vitet e fundit.

“Ngrohja globale e 150 viteve të fundit po ndryshon thelbësisht planetin. Kjo e fundit është periudha më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë, në një hark kohor kaq të gjatë prej 3 000 vjetësh”, vëzhgon fizikani Massimiliano Pasqui, i Këshillit Kombëtar italian të kërkimeve, CNR.

Duke analizuar sedimentet e liqenit kanadez South Sawtooth Lake, studiuesit amerikanë kanë rindërtuar ndryshimet në temperaturën e sipërfaqes së oqeanit, me një thellësi të arritur kurrë më parë.

”Efektet janë tashmë të dukshme”, thekson raporti UNSDIR.

”Që nga viti 2000, janë regjistruar 7 348 katastrofa natyrore, me një kosto të vlerësuar prej gati tri trilionë dollarësh dhe që kanë vrarë më shumë se 1,2 milion njerëz”, shton ai/ANSA./ KultPlus.com

Të ngjajshme