23 Dhjetor, 2023 - 7:30 pm
Në prag të festave të fundvitit, në Durrës është çelur panairi “Verë dhe Traditë”.
Nata e parë e panairit “Verë dhe Traditë” bëri bashkë prodhuesit e verërave të zonës së Durrësit dhe fshatrave përreth dhe qytetarë të shumtë të cilët ju bashkuan atmosferës festive në sheshin “Liria”.
Në panair prezantohen shumë kantina vere me prodhimet e tyre, që kanë tërhequr mjaft vëmendjen e qytetarëve.
Ndërsa panairi po shoqërohet edhe me një program festiv.
Synimi i këtij panairi është që të bëj bashkë prodhuesit e verës, të cilët janë të shumtë në numër dhe e konsiderojnë këtë aktivitet, si një mundësi shumë të mirë për promovimin e potencialeve gastronomike të qytetit të Durrësit dhe të fshatrave turistikë përreth.
Njëkohësisht duke qenë në prag festash, ky panair shërben për të përçuar atmosferën festive tek qytetarët, por edhe turistët e huaj.
Qytetarët që vizituan panairin patën mundësi të degustonin verërat e kantinave durrsake, por jo vetëm, pasi në panairin që mbështetej nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit kishte dhe shumë stenda të prodhuesve të vajit të ullirit, mjaltit etj.
Për organizatorët, ky panair është në edicionin e tij të parë, por synohet të kthehet në traditë në qytetin bregdetar.
Synojmë që vitin e ardhshëm të kemi më shumë pjesëmarrës në panair, sepse e gjitha kjo është një promocion shumë i mirë për qytetin”, tha ndër të tjera drejtoresha e Turizmit në bashki, Floreta Kërtusha.
Përveç degustimit të produkteve të ekspozuara në stenda, qytetarët patën mundësi të argëtohen me tingujt e muzikës së koncertit që u mbajt në shesh. Të shumtë ishin ata që ia morën valles, duke sfiduar edhe temperaturat e ulëta të këtij fund dhjetori./ KultPlus.com