30 Korrik, 2024 - 12:20 pm
Autoriteti i Dosjeve së bashku me Qëndrën Kombëtare të Librit dhe të Leximit përkujtuan në përvjetorin e 104-t të lindjes Arshi Pipën, intelektualin e mirënjohur, arsimtarin, publicistin poetin, gjuhëtarin, kritikun letrar, përkthyesin dhe pedagogun me kontribute në jetën akademike të vendit dhe jashtë tij.
Aktiviteti risolli profilin e Arshi Pipës, ndërthurur me fatin e shkencëtarit nën regjimin komunist përmes botimit akademik të AIDSSH, “Kur Sigurimi merrej me shkencë”, ku u bashkua puna kërkimore e historianëve dhe misioni për informimin e publikut në ruajtjen e kujtesës historike, për hapjen e dialogut mbi të shkuarën dhe rishqyrtimin e figurave të dhjetë shkencëtarëve të përndjekur.
Së bashku me botuesen e veprës së tij, familjarët dhe QKLL po planifikojnë përmes aktivitetit “Dosja e Hapur”, një qasje studimore në katër dimensione: Shtypje, Qëndresë, Solidaritet dhe Mbijetesë. Synimi është thellimi i mëtejshëm në hulumtimin e këtij personaliteti që la pas vepra filozofike, artistike, studime shkencore në lëmin letërsisë dhe gjuhës, por edhe dëshmi të krimit komunist.
“Arshi Pipa mbetet një simbol i qëndresës intelektuale dhe artistike në Shqipëri. Përkujtimi i tij është një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe nevojën për të ruajtur kujtesën historike”, shkruan AIDSSH në faqen e tij online.
Aktivitetet si “Dosja e Hapur” janë të rëndësishme për të ndihmuar në ndriçimin e historisë dhe për të nderuar ata që vuajtën për shkak të ideve të tyre./atsh/KultPlus.com