3 Prill, 2024 - 12:00 pm
Komentet e JK Rowling në lidhje me ligjet e reja të Skocisë për krimet e urrejtjes “nuk vlerësohen si kriminale”, ka thënë policia, duke konfirmuar se nuk do të ndërmerren veprime të mëtejshme.
Pas lajmeve se JK Rowling po sfidonte policinë ta arrestonte, autoritetet kanë thënë se autorja e Harry Potter nuk ka shkelur ligjin me postime në Twitter që kritikojnë ligjin e ri të Skocisë për gjuhën e urrejtjes dhe duke iu referuar grave transgjinore si burra.
Duke reaguar ndaj lajmit, Rowling postoi në X: “Shpresoj se çdo grua në Skoci që dëshiron të flasë për realitetin dhe rëndësinë e seksit biologjik do të qetësohet nga ky njoftim dhe besoj se të gjitha gratë, pavarësisht nga profili apo mundësitë financiare, do të trajtohen në mënyrë të barabartë sipas ligjit.”
Rowling kundërshton ligjin, i cili hyri në fuqi të hënën më 1 prill dhe e bën të paligjshme nxitjen e urrejtjes në bazë të karakteristikave të tilla si mosha, paaftësia, feja, orientimi seksual dhe identiteti transgjinor.
Rowling është ndër kritikueset që thonë se legjislacioni mund të përdoret për të heshtur të ashtuquajturat feministe “kritike gjinore”, të cilat argumentojnë se të drejtat për gratë trans nuk duhet të vijnë në kurriz të atyre që lindin biologjikisht femra.
Në një seri të gjatë postimesh në X, Rowling iu referua disa grave të shquara trans si burra. ky koment mund të jetë një shkelje sipas ligjit të ri, në disa rrethana.
“Nëse ajo që kam shkruar këtu kualifikohet si shkelje sipas kushteve të aktit të ri, mezi pres të arrestohem. Liria e fjalës dhe besimit janë në fund në Skoci nëse përshkrimi i saktë i seksit biologjik konsiderohet kriminal”, tha ajo në një postim.
Policia në Skoci tha se forca kishte marrë ankesa, por se “komentet nuk vlerësohen si kriminale dhe nuk do të ndërmerren veprime të mëtejshme”. / KultPlus.com