Autostrada Biennale ka filluar zyrtarisht përgatitjet për edicionin e katërt që do të mbahet në verën e vitit 2023

21 Shtator, 2022 - 6:28 pm

Pas rizgjedhjes së kuratoreve Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza për edicionin e katërt, ekipi i Autostrada Bienales së bashku me kuratoret kanë filluar përgatitjet intensive përmes vizitës në kuadër të programit të hulumtimit kuratorial.

Këtë vit programi i hulumtimit është pasuruar përmes bashkëpunimit me Universitetin e Arteve Konstfack në Stokholm, më konkretisht me pjesëmarrjen e 10 kuratorëve nga programi CuratorLab 2022/23 të cilët do të zhvillojnë programin publik dhe do ta mbështesin programin e hulumtimit kuratorial të edicionit të ardhshëm të Autostrada Biennale.

Gjatë javës së hulumtimit, jemi njohur, kemi shkëmbyer ide, kemi vizituar hapësira të ndryshme në Prizren, kemi udhëtuar në Prishtinë dhe Mitrovicë dhe kemi takuar artistë, partnerë, miq e aktivistë.

“Bienalja e rezistencës është korniza e përgjithshme dhe një pikënisje, për të cilën ne do të punojmë së bashku në nivelet e saj epistemike, ekzistenciale, shoqërore dhe poetike. Ajo që ne dëshirojmë është – me njohuritë dhe mençuritë lokale në anën tonë – ta bëjmë ndryshimin e vërtetë përmes artit, t’i drejtohemi trashëgimisë, arkivave kulturore, kujtesës shumëdrejtimëshe, kulturës bashkëkohore të ushqyer nga elementet diasporike apo nga jeta e përditshme…” janë shprehur kuratoret e edicionit të ardhshëm Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza.

Edicioni i katërt po përgatitet në hapësirën e re “Autostrada Hangar”, e cila u hap për publikun në mars të këtij viti. Hapësira jonë multifunksionale do të përdoret për programe të hulumtimit, të edukimit, të rezidencave dhe të prodhimit artistik dhe do të jetë hapësirë ekspozimi për edicionin e ardhshem.

Programi i hulumtimit mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prizrenit dhe Komuna e Prishtinës. Ne gjithashtu falenderojmë miqtë dhe partnerët tanë Vladan Jeremic, Rena Raedle, Nora Prekazi, Lulzim Hoti, Tevfik Rada dhe Valdete Idrizi të cilët iu bashkuan programit të hulumtimit./ KultPlus.com

Të ngjajshme