Autostrada Biennale zgjerohet në 10 vjetorin e saj me Hangar II

5 Prill, 2024 - 3:18 pm

Në vitin kur po e kremtojnë 10-vjetorin e themelimit, Autostrada Biennale, ka njoftuar se po i zgjerojnë hapësirat edhe me një Hangar të ri në ITP Prizren.

“Së fundi ne kemi nënshkruar kontratën e re 10-vjeçare për zgjerimin e hapësirave tona të cilat do t’i plotësojnë nevojat e komunitetit për prodhim artistik dhe edukim’, thuhet në njoftim.

Rritja e Autostrada Biennale dhe Autostrada Hangar në vitet e fundit tregon përkushtimin e tyre për të përforcuar të ardhmen kulturore dhe sociale në Kosovë, përkrah vizionit për ta vendosur këtë angazhim në një kontekst artistik ndërkombëtar.

Ashtu siç është krijuar Autostrada Hangar me 50% të materialeve të ricikluara nga edicionet e mëparshme të Autostrada Biennale, e njëjta praktikë e riciklimit dhe qëndrueshmërisë po vazhdon me Hangarin e dytë.

Autostrada Biennale gjatë edicionit të katërt prodhoj një sërë veprash artistike në Autostrada Hangar dhe pati një impakt të madh në zhvillim socio-ekonomik të vendit, e cila u vlerësua si një ndër 10 ekspozitat më të mira në Evropë në 2023 nga Frieze Magazine me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. Me këtë rast, bashkëthemeluesit e Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, deklaruan: “Jemi të lumtur që Hangar II do t’i plotësojë nevojat e komunitetit përmes krijimit të studios së re të produksionit, studios së mediave dhe komunikimit, hapësirës multifunksionale, hapësirës rezidenciale për artistë, si dhe krijimit të një depoje për vendosjen e veprave të artit, e cila do të jetë depoja e parë profesionale në Kosovë. Falë këtij zgjerimi, ne do të kemi një hapësirë më të madhe kreative fizike dhe mendore për vizionin tonë të ardhshëm dhe programet gjithëpërfshirëse, duke e bërë Autostrada Biennale një qendër që vazhdon të frymëzojë, krijojë dhe promovojë artin dhe kulturën me një qasje të re inovative.”

Autostrada Biennale ka marrë mbështetje bujare dhe ka krijuar partneritete me Fondacionin Allianz, Ministrinë e Kulturës në Kosovë, ITP Prizren dhe GIZ, Komunën e Prizrenit, Ambasadën Amerikane në Prishtinë dhe shumë të tjerë. / KultPlus.com

Të ngjajshme