24 Maj, 2020 - 2:00 pm
Produksioni i filmit të dytë Avatar do të vazhdojë javën që vjen në Zelandën e Re, pasi që ky shtet është duke liruar kufizimet e vendosura për shkak koronavirusit, raporton revista NME.
Gjersa banorët do t’i kthehen vendeve të tyre të punës, edhe seriali i Amazonit “Lord of The Rings” do të vazhdojë punën e xhirimeve në këtë shtet.
Në fillim të muajit maj qeveria kishte miratuar rinisjen e projekteve filmike në Zelandën e Re pasi që u rishqyrtuan protokollet e shëndetësisë dhe sigurisë.
Në një raport të revistës Deadline u tha se disa filma dhe programe televizive tashmë ishin duke e vazhduar punën, dhe se xhirimi i “Avatar 2” do të rinisë javën që vjen, gjë që u konfirmua nga producenti i këtij filmi Jon Landau.
Duke e shpërndarë imazhe të pjesëve të xhirimeve në Instagram, Landau shkroi se, “setet e filmit janë gati, dhe jemi shumë të entuziazmuar që po kthehemi në Zelandën e Re javën tjetër”.
Me qindra filma dhe programe televizive kanë pezulluar produksionet për shkak të pandemisë së koronavirusit, përfshirë këtu edhe “The Batman-in” e ri dhe sezonin e katërt të serialit “Stranger Things”.