20 Shtator, 2022 - 7:30 pm
SBASHK-u dhe Qeveria akoma nuk po arrjinë të gjejnë një zgjidhje, dhe si rezultat, greva po vazhdon, shkruan KultPlus.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, përmes një komunikate ka thënë se “në kuadër të angazhimit si ndërmjetësues mes palëve për zgjidhjen e situatës së krijuar për shkak të grevës nga sindikatat, e me qëllim të njoftimit të opinionit publik dhe interesimit të mediave, sot ka pranuar letër nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) dhe tanimë të gjitha palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre për daljen nga kjo situatë”.
“Me qëllim që të arrihet marrëveshja, Avokati i Popullit u është drejtuar palëve me një draft marrëveshje në të cilën ka propozuar një zgjidhje të mundshme, si zgjidhje e balancuar mbi bazën e qëndrimeve që palët kanë prezantuar, e njëkohësisht me kujdes janë paraqitur qëndrime që mund të sjellin konsensus”, thotë Avokati i Popullit.
“Avokati i Popullit njofton se edhe më tej do të angazhohet për të përafruar palët në marrëveshje, duke ripërsëritur se është urgjente gjetja e një zgjidhjeje, që do të jetë në interes për të gjithë, e në veçanti për fëmijët”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com