15 Qershor, 2023 - 11:10 am
Ditën e djeshme, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar nga forcat serbe në veri të vendit.
Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.
Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Për momentin nuk dihet me siguri se ku ndodhen tre policët kosovar, por pretendohet që janë dërguar në Beograd.
Për këtë rast ka reaguar edhe avokati Arianit Koci i cili është shprehur se është i gatshëm të shkoj në Beograd dhe në cilësinë e avokatit t’ua koordinoj mbrojtjen për policët kosovarë dhe punën e tij është shprehur se do ta bëjë falas.
“Në rast se policët e kidnapuar nuk lirohen me presion politik, jam i gatshëm që menjëherë javën e ardhshme – me autorizim të qeverisë së Kosovës – të shkoj në Beograd dhe në cilësinë e avokatit t’ua koordinoj mbrojtjen.
Nuk mund t’i lëmë policët tanë vetëm në mëshirën e bashkësisë ndërkombëtare.
Në anën tjetër, dikush duhet t’i vizitoj në qendrën e ndalimit/paraburgimit, kudo që janë.
Punën time do t’a bëj falas!”, shkruan Koci. / KultPlus.com