Avokatja Kika: Duhet të punojmë vazhdimisht për t’ia shkulur rrënjët mendësisë që mundëson dhunën ndaj vajzave e grave

31 Gusht, 2022 - 11:32 am

Avokatja Rina Kika ka publikuar në rrjetet sociale një shkrim ku ndër të tjera thekson faktin se sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, 85% të viktimave të dhunës seksuale në periudhën 2019-2021 ishin vajza të mitura. Ndërkaq, të gjithë kryesit e dhunës seksuale ishin burra ose djem.

Sipas Kikës, kjo dhunë i ka rrënjët te faktorët që lidhen me gjininë, siç është ideologjia dhe e drejta e supozuar e privilegji i burrave ndaj grave, normat sociale për maskulinitetin, nevojën e burrave për ushtrimin e kontrollit dhe pushtetit, përforcimit të roleve gjinore, etj.

Ky është statusi i plotë i kikës:

85% të viktimave të dhunës seksuale në periudhën 2019-2021 ishin vajza të mitura, sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës. Po e përsëris: tetëdhjetë e pesë përqind të viktimave të dhunimeve seksuale ishin vajza nën moshën 18 vjeçare! Ndërkaq, të gjithë kryesit e dhunës seksuale ishin burra ose djem.

Vitin e kaluar publikova një shkrim për gabimet e sistemit të drejtësisë në gjykimin e dhunuesit të një vajze 15 vjeçare që u dënua me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim për veprën penale të dënueshme sipas Kodit Penal me 5 deri në 20 vjet burgim.

Një raport i publikuar nga EULEX në korrik tregon, mes tjerash, se dënimi i dhunuesve seksualë nën minimumin e dënimit është problem sistematik. Në më shumë se gjysmën e aktgjykimeve fajësuese për raste të dhunimeve seksuale të periudhës 2019-2021, gjykatat kanë dhënë dënime nën minimumin e kohëzgjatjes së dënimit të përcaktuar me ligj, duke marrë parasysh rrethana posaçërisht lehtësuese si: premtimi i të pandehurit se nuk do ta shkelë më ligjin, kërkimfalja ndaj viktimës, sjellja korrekte e të pandehurit në gjykatë, e me radhë.

Dhuna seksuale ndaj vajzave e grave është problem social dhe është dhunë me bazë gjinore. Pra, dhunë që na prekë ne gratë e vajzat jo-proporcionalisht dhe që na shkaktohet për faktin se jemi vajza e gra. Prandaj përgjigjja ndaj këtij problemi duhet të jetë gjithpërfshirëse e të shkojë përtej rasteve individuale. Siç e thotë Komiteti për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, kjo dhunë i ka rrënjët te faktorët që lidhen me gjininë, siç është ideologjia dhe e drejta e supozuar e privilegji i burrave ndaj grave, normat sociale për maskulinitetin, nevojën e burrave për ushtrimin e kontrollit dhe pushtetit, përforcimit të roleve gjinore, etj.

Nuk duhet të befasohemi me tmerrin që ia shkaktuan pesë burra e djem një vajze 11 vjeçare. Duhet të mllefosemi, të punojmë bashkë e vazhdimisht për t’ia shkulur rrënjët mendësisë që mundëson dhunën ndaj vajzave e grave si dhe zbutjen e jashtëzakonshme të dënimeve për dhunuesit seksualë. Puna më e madhe i takon institucioneve që duhet të bëjnë shumë më shumë për t’i adresuar këto probleme.

Si fillim:

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dua ta di se kur do të fillojë edukimi seksual në shkolla?

Nga Gjykata Supreme e Kosovës dua të di se çfarë po bën për ta adresuar problemin sistematik me zbutjen e dënimeve për dhunuesit seksualë nën minimumin e kohëzgjatjes së dënimit?

Shihemi në 12:00 në protestë!

Burimet:

EULEX, Raport monitorimi, Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, korrik 2022 https://www.eulex-kosovo.eu/…/(07.06.2022)Report_AL.pdf

Kosovo 2.0, Rina Kika, Pa drejtësi për 15 vjeçaren e dhunuar, 5 nëntor 2021, https://kosovotwopointzero.com/pa-drejtesi-per-15…/

CEDAW, General recommendation No. 35 on gender-based violence against women, updating general recommendation No. 19, https://tbinternet.ohchr.org/…/CEDAW_C_GC_35_8267_E.pdf / KultPlus.com

Të ngjajshme