24 Dhjetor, 2023 - 10:13 am
Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit tha se brenda vitit mbi 300 mijë kilogramë të produkteve të mishit dhe 1 milionë kilogramë të produkteve të tjera jo shtazore janë asgjësuar. Agjencia foli për RTV21 në prag të festave të fundvitit, kur thotë se ka shtuar numrin e kontrolleve të operatorëve ekonomikë. Qytetarët kanë shprehur shqetësimet e tyre me cilësinë e ushqimeve që konsumojnë ndërkohë që Shoqata “Konsumatori”, thotë se institucionet nuk kanë krijuar partneritet konsumator-inspeksion.
AVUK iu ka bërë thirrje qytetarëve të kenë më shumë kujdes nga dhuratat e fëmijëve, për shkak të mundësisë së skadimit të afatit të produkteve. Drejtori i shëndetit publik, Flamur Kadriu, tha se inspektorët e Agjencisë kanë ndaluar një numër të operatorëve ekononik për shkak të dyshimeve për cilësinë e dobët të ushqimit që shitet.
“Gjatë një viti janë kryer mbi 70 mijë kontrolle, dhe diku 1 milionë kilogram produtke jo shtazore janë asgjësuar, ndërsa mbi 300 mijë kilogram janë shtazore…festat e fundvitit gjithmonë kanë tendeca për shitje më të madhe paraqet gjithmonë një rrezik dhe prej përvojave të kaluara, është bërë një praktikë për shkëmbim të dhuratave dhe në këtë mënyrë i kemi intensifikuar edhe inspektimet tona dhe i kemi nnën vëzhgim dhuratat që janë për fëmijët, dhe në këtë mënyrë të tregohet një kujdes më i madh se si janë mbajtë produktet nëpër tregje, afati i skadimit etj”, tha Kadriu.
AVUK tha se ka trajtuar 460 ankesa të konsumatorëve brenda një viti. Por pavarësisht paralajmërimeve të Agjencisë së veterinarisë dhe ushqimit për kontrollet shtesë qytetarët janë skeptik në atë se çka konsumojnë.
“Ne si konsumatorë nëse nuk e kemi kujdesin vet me i kqyrë, sa për kontrolle është katastrofë, me marr suxhuk në shitore ku ke pas, pa kurfar kontrolle masnej uji, rrin gjithë ditën ndiell e nshi pra nuk ka kontrollë t’mjaftueshme veç neve ishalla na runë Zoti”, tha një qytetar.
“Nuk jemi të sigurt, tu e ditë prejardhjen e tyre, nëse kurgjo ne e kqyrim t’pakten afatin”, tha një qytetare për RTV21.
Mungesën e kontrollit në treg e ka konfirmuar edhe kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, sipas të cilit ato kryhen në bazë të mundësivë dhe të kapaciteteve që kanë institucionet. Ai tha se në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur kontrolle të mjaftueshëm të ushqimeve.
“Shiqoni kontrolle të mjaftueshme siç pret konsumatori nuk ka pasë anjëherë dhe nuk do të bëhen kurr, kontrollet bëhen me disa mostra matje simbolike dhe nuk bëhet sa duhet…shifni pas gjithë këtyre viteve jemi në vitin 2023, dhe akoma qytetari konsumator nuk është partner i shtetit në mënyrë që të bashkëpunoj me inspekcionin, shtetin”, tha Kaçaniku për RTV21.
Sipas agjencisë së veterinarisë në periudhën janar-nëntor, u shqiptuan 135 gjoba për kundërvajtje për ruajtje të produkteve në kushte joadekuate./21Media/KultPlus.com