25 Dhjetor, 2024 - 11:48 pm
Njëzet vjet pas cunamit më vdekjeprurës në histori, të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave po përgatiten të përkujtojnë nesër, më 26 dhjetor, në të njëjtën ditë të vitit 2004 në të cilën dallgët gjigante goditën brigjet e vendeve që kufizojnë Oqeanin Indian, duke vrarë mbi 220 mijë njerëz.
Një tërmet me magnitudë 9.1 në brigjet perëndimore të ishullit indonezian të Sumatrës dërgoi valë të mëdha që u përplasën në të gjithë Indonezinë, Sri Lanka, Indi, Tajlandë dhe nëntë vende të tjera në Oqeanin Indian, duke shkaktuar viktima deri në Somali.
Me shpejtësinë maksimale, valët arritën 800 kilometra në orë dhe një lartësi maksimale prej 30 metrash, e barabartë me një ndërtesë 10-katëshe, duke lëshuar një energji të barabartë me 23,000 herë fuqinë e bombës atomike të Hiroshimës.
Në total, cunami vrau 226,408 njerëz, sipas Em-Dat, një bazë të dhënash globale të akredituar për fatkeqësitë.
Ceremonitë përkujtimore do të mbahen në të gjithë rajonin në plazhe, ku kanë humbur jetën edhe shumë turistë perëndimorë të ardhur për të festuar Krishtlindjet nën diell. Më shumë se 5,000 njerëz kanë vdekur në Tajlandë, gjysma e tyre turistë të huaj dhe 3,000 të tjerë janë ende të zhdukur.
Një ekspozitë mbi cunamin është ngritur në një hotel në provincën Phang Nga dhe do të shfaqet një dokumentar, ndërsa zyrtarët e qeverisë dhe të OKB-së do të flasin për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive. 26 dhjetori 2004 shënoi edhe një pikë kthese në këtë aspekt, duke qenë se, sipas ekspertëve, mungesa e një sistemi paralajmërues të koordinuar siç duhet, rëndonte jashtëzakonisht shumë pasojat e fatkeqësisë.
Që atëherë, rreth 1,400 stacione monitorimi në mbarë botën kanë reduktuar kohën e paralajmërimit pas formimit të një cunami në vetëm disa minuta./ KultPlus.com