Babai i Marigona Osmanit reagon pas vendimit për rigjykim: Ky tmerr mund të ndodhë vetëm në Kosovë

24 Shkurt, 2024 - 7:31 pm

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit, për çka ishin shpallur fajtorë Dardan Krivaqa, i dënuar me burg të përjetshëm dhe Arbër Sejdiu, i dënuar me 15 vjet heqje lirie.

Muhabi Osmani, babai i të ndjerës Marigona Osmani ka deklaruar se vendimi i Gjykatës së Apelit është vendimi më skandaloz që ka ndodhur në Kosovë, duke e ditur se vrasja e Marigonës ka qenë një ndër vrasjet më mizore mbas luftës në Kosovë.

Ai tha se nuk e ka pritur se çështja e vrasjes së Marigonës do të kthehet në rigjykim, duke shtuar se kjo drejtësi për të është drejtësi katastrofale dhe ky tmerr mund të ndodhë vetëm në Kosovë.

“Janë duke na shtyrë në një situatë që na ta marrim vetë ligjin në dorë gjë që nuk e kemi preferuar. Me këtë vendim për rigjykim po na lindin dyshimet që avokatët e të akuzuarve janë sekserë të njohur”, theksoi Osmani. “Unë kam dyshime të mëdha, sepse Gjykata ka prova të mjaftueshme për të dy të akuzuarit të cilët janë të involvuar direkt në vrasjen e vajzës sime. Unë mendoj se ka implikacione të mëdha në Gjykatën Apelit, sepse janë dy familje të forta të cilët kanë njerëz në polici edhe në drejtësi”, shtoi babai i të ndjerës.

Në fund Osmani deklaroi se ka ende besim në drejtësi, por ritheksoi se me vendimin e fundit ai ka dyshime shumë të mëdha. /RTK/ KultPlus.com

Të ngjajshme