11 Maj, 2020 - 9:47 pm
Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka treguar edhe për formën e mbajtjes së provimit të maturës.
Ajo ka hedhur poshtë mundësinë që i njëjti të anulohet apo të mbahet në distancë.
Sipas saj, anulimi i tij nuk është opsion i MASHTI-t, pasi konsideron se nuk është as në favor të nxënësve.
“Anulimin e testit të maturës nuk e kemi opsion dhe nuk është as në favor të nxënësve sepse do t’iu shkaktojë probleme për regjistrim në fakultet”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se me Komisionin e Maturës është diskutuar për formën e testit të maturës në kushte pandemie.
Sipas saj, është menduar që testi të mos përmbajë më shumë se 100 pyetje dhe të njëjta të jenë në katër lëndë.
Bajrami thotë si kohë e mundshme e mbajtjes së këtij testi është java e parë e korrikut.
“Mendojmë që testi të mos jetë sikurse viteve tjera, në vend se të ketë 200 pyetje do të përmbajë 100 pyetje, do të përmbajë katër lëndë, gjuhë shqipe, matematike, anglisht dhe lëndë zgjedhore. Nuk do të ndahet në dy pjesë por do të mbahet brenda një ditë diku 150 minuta. Koha tentative, ende nuk kemi ndonjë datë të saktë, kemi menduar në javën e parë të muajit korrik. Kemi parë peticionet dhe kemi parë thirrjet por kemi konsultuar ekspertet më të mirë dhe kemi konsideruar që më mirë është të mbahet”, ka thënë ajo.
Sipas saj, mbajtja e testimit në distancë është i pamundur.
“Meqenëse është java e parë e korrikut nxënësit kanë kohë të mjaftueshme të përgatitën. Ka më shumë se një muaj që kemi kërkuar nga hartuesit e testit të maturës dhe pritshmërisë që të mos përfshihen pyetje nga njësitë mësimore që janë zhvilluar në distancë. Testi do të mbahet fizikisht në shkolla”, ka thënë ajo.