10 Prill, 2020 - 5:58 pm
Ministrja e Arsimit Hykmete Bajrami së bashku me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe me Drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike Naser Ramadanin kanë vizituar shkollën “Qamil Batalli” në Prishtinë.
Kjo shkollë po shërben si vend-xhirim i ligjëratave për mësimin në distancë për nxënësit e klasave 1-9.
Bajrami ua shpjegoi bashkëbiseduesve rrjedhën e realizimit të këtij projekti për nxënësit e Kosovës, derisa shtoi se përkundër situatës së krijuar për shkak të pandemisë falë punës vetëmohuese të të gjithë të përfshirëve në këtë projekt deri në këtë fazë janë arritur rezultate mjaft inkurajuese.
Ajo tha po ashtu se përveç ofrimit të përmbajtjes mësimore, në përputhje me planprogramet e Kosovës, mësimi në distancë po kontribuon në angazhimin e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve dhe në këtë mënyrë po ndihmohet edhe përpjekja e gjithëmbarshme e institucioneve të Kosovës për mospërhapjen e koronavirusit.
Gjatë takimit është biseduar edhe për masat parandaluese që janë marrë, respektimin e tyre nga ana e qytetarëve, por edhe për mundësinë e marrjes së masave të reja në mënyrë që të parandalohet sa më shumë që të jetë e mundur përhapja e infeksionit.