23 Dhjetor, 2024 - 11:30 am
Sonte në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit do të shfaqet premiera e produksionit të ri të baletit “Arrëthyesi”. Si rrallëherë më parë, biletat e gjashtë netëve të shfaqjes, u shitën në kohë rekord.
Sipari i 6 netëve mbushur me magji, ngrihet sonte në orën 19:00. Kësaj here, vepra e Çajkovskit do të dirigjohet nga dirigjenti spanjoll Sergio Alapont, i njohur për pasionin, energjinë dhe frymëzimin që sjell në podium.
Alapont është një nga figurat më të shquara të dirigjimit të brezit të tij. Ai ka drejtuar në disa nga teatrot më të famshëm të operës në botë, si Teatro Real në Madrid, Opéra-Théâtre de l’Eurometropole de Metz, Opera National du Rhin dhe Glyndebourne Festival. Gjithashtu, ka debutuar me sukses në Shtetet e Bashkuara duke dirigjuar La Rondine në Minnesota Opera.
Puna e tij përfshin një repertor të pasur operistik dhe simfonik, ku ka bashkëpunuar me disa nga orkestrat më të njohura, si London Philharmonic Orchestra, RTÉ Concert Orchestra, Orchestre National d’Ile de France dhe Arena di Verona. Alapont ka dirigjuar emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare si Plácido Domingo, Gregory Kunde dhe Anna Pirozzi. Regjistrimet e tij janë publikuar nga labelë prestigjiozë si Universal Music, Signum Classics dhe RAI.
Në vitin 2016, Alapont u nderua me çmimin “Dirigjenti më i mirë” në GBOSCAR – L’Eccellenza dell’Opera për performancat e tij të shkëlqyera të operës “Aida” në Teatro di Sassari./atsh/KultPlus.com