Ballkani fiton 3-0 në tavolinë ndaj Gjilanit pas dhunës në stadium

6 Prill, 2022 - 8:09 pm

Ndeshja e fundit në Superligën e Kosovës mes Gjilanit dhe Ballkanit u përcoll me zhvillime të shumta, përfshirë këtu edhe dhunën, shkruan KultPlus.

Suharekasit kishin udhëtuar në Gjilan për të zhvilluar takimin e tyre të radhës, mirëpo e gjithë ndeshja u “vendos” në minutat e fundit të ndeshjes kur edhe Enea Koliçi (portieri i Gjilanit), shënoi për të barazuar shifrat në 1-1.

Me të hyrë goli, tifozët janë futur në fushë dhe njëri prej tyre ka sulmuar portierin tjetër në fushë, atë të Ballkanit, Stivi Frashërin, i cili më pas edhe u dërgua në spital. Ndeshja u mbyll me rezultat 1-1, mirëpo gjithçka mbeti në duart e Komisionit të Garave.

Këta të fundit, kanë vendosur gjatë ditës së sotme që të dhurojnë 3 pikë për Ballkanin dhe rrjedhimisht rezultati i ndeshjes në mënyrë automatike të jetë 3-0.

Infografika: TopSporti

Kur mbetur edhe 6 ndeshje për t’u mbyllur stinori aktual i Superligës së Kosovës, “Xhebrailat” janë në vendin e parë me 57 pikë dhe favorit për t’u shpallur kampion.

Në anën tjetër, skuadra e udhëhequr nga Ismet Munishi, mbetet me 49 pikë në vendin e tretë dhe kjo ndeshje mund edhe të përcaktojë përfundimisht punën e kampionit. /KultPlus.com

Të ngjajshme