25 Shkurt, 2025 - 8:25 pm
Në shtegun natyror “Ish-Rezervati –Liqeni i Bovillës”, rreth 15 km larg Tiranës, vijon puna për rehabilitimin e tij.
Kjo ndërhyrje është pjesë e projektit “Shtigjet në rrjetin e Zonave të Mbrojtura”, të ndërmarrë nga AKZM dhe që ka për synim studimin, përmirësimin, mirëmbajtjen, markimin dhe hapjen e shtigjeve të reja.
Agjencia Kombëtare të Zonave të Mbrojtura ndau në rrjetet sociale momente nga puna për rehabilitimin e këtij shtegu, që frekuentohet nga turisë të shumtë vendas e të huaj.
“Liqeni i Bovillës është ndër destinacionet më të frekuentuara nga turistët, pjesë e Parkut Kombëtar “Mali i Dajtit”. Për të ofruar një eksperiencë sa më cilësore dhe çlodhëse, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura është duke aplikuar ndërhyrje në zonë, të cilat synojnë në përmirësimin e infrastrukturës, ngritjen e një pike informuese për vizitorët dhe ngritjen e mjediseve çlodhëse dhe argëtuese”, thekson AKZM.
Sipas këtij projekti, në këtë shteg do të krijohen ballkone panoramike, pikë informimi, shtim i sinjalistikës dhe markimi përkatës për të ofruar orientim dhe eksperiencë sa më cilësore për vizitorët.
Zonat e mbrojtura gjithnjë e më shumë po vizitohen nga turistët vendas e të huaj. Për t’i bërë më lehtësisht të aksesueshme këto zona, punonjësit e 12 Administratave të Zonave të Mbrojtura në të gjithë vendin vijojnë punën për shënjimin e shtigjeve turistike.
Liqeni i Bovillës është kthyer në një nga zonat më të frekuentuara për të gjithë ata që duan ajrin e pastër, natyrën dhe pse jo sportet e aventurës./atsh/ KultPlus.com