31 Maj, 2022 - 10:19 am
Vepra “Ballo me maska” e shkruar nga kompozitori italian Giuseppe Verdi do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në 1 qershor, në kuadër të Javës së Kulturës Italiane.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtoresha e TKOBAP, Zana Çela dhe artistë shqiptarë e të huaj zhvilluan sot një konferencë për shtyp.
“Jemi shumë të kënaqur që do të celebrojmë së bashku ngjitjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të kësaj vepre që vjen si një bashkëpunim mes TKOBAP dhe Teatro Regio Di Parma. Një staf i gjerë artistësh dhe prapavije, shqiptarë e të huaj, janë bërë bashkë për të sjellë një shfaqje madhështore”, u shpreh Margariti në një postim në rrjetet sociale.
Ky është një bashkëpunim, tha Margariti, që me siguri nuk do të ishte kurorëzuar pa investimin madhor që është bërë në këtë teatër.
“Kjo shfaqje në Tiranë është edhe një moment historik, pasi ky produksion vjen nën atmosferën e vitit 1913, përmes skenografisë dhe kostumografisë së krijuar në atë periudhë dhe të restauruar së fundmi. Pra bashkë me këtë vepër vjen edhe një copëz historie. Por kjo shfaqje shënon edhe hapjen e Javës Kulturore Italiane, që do të pasohet me një kalendar të pasur aktivitetesh”, tha Margariti.
Nga 31 maji, deri në 7 qershor do të zhvillohet në disa qytete të Shqipërisë Java Kulturore e Italisë. Kjo javë zhvillohet në kuadër të “Javëve Ndërkombëtare të Kulturës”, nismë e qeverisë shqiptare me moton “Shqipëria mikpret botën”, ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës si dhe vende të Bashkimit Evropian. Pas javëve kulturore të Francës, SHBA, Greqisë, në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit gjatë Javës Kulturore të Italisë do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore./ KultPlus.com