Balluku: Porti i ri i Durrësit do ndryshojë pamjen e turizmit për gjithë rajonin

30 Janar, 2023 - 11:37 am

Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku theksoi sot se “projekti “Durrës Yacht & Marina” është më i madh ekonomik që Republika e Shqipërisë ka pasur ndonjëherë, ku për herë të parë shteti shqiptar është bashkëaksioner në projektin me një vlerë investimi prej rreth 2 miliardë euro”.

Në fjalën e saj në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për zhvillimin e projektit “Durrës Yacht & Marina”, ku është i pranishëm Kryeministri Edi Rama, Mohamed Alabbar themelues dhe pronar i kompanisë EMAAR me qendër në Dubai, Balluku tha se “ky projekt do të ndryshojë njëherë e mirë jo vetëm të gjithë pamjen e turizmit jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin”.

“Kemi pasur rastin të shikojmë hapjen e zyrave për sa i përket tregtimit të njësive të banimit në Durrës e Tiranë dhe interesi ka qenë i madh, ashtu siç ka qenë interes i madh ashtu siç na thotë investitori edhe në kërkesat online jo vetëm nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga diaspora shqiptare që duan të kenë një njësi banimi në këtë projekt të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për Ballkanin”, nënvizoi Balluku.

“Ky ishte një projekt i një natyre krejtësisht të re dhe realizimi i tij do të vërtetojë që kemi bërë zgjedhjen e duhur dhe kemi këmbëngulur. Ky projekt i pari i këtij lloji dhe për pjesëmarrjen e shtetit si bashkëzhvillues në një partneritet publik privat parashikon krijimin e një kompanie të përbashkët ku shteti është aksioner në masën 30% ka të gjitha benefitet e një aksioneri në të ardhura dhe në fitim”, nënvizoi Balluku.

Balluku vuri në dukje se “shteti ka detyrim të ruajë asetet e tij më strategjike, të cilat në Durrës janë kalatat, baseni dhe kanali i portit. Të gjitha këto mbeten pronë shtet siç mbeten edhe 45% e hapësirës së portit aktual, e cila do pastrohet, rehabilitohet dhe do t’i kthehet në përdorim qytetarëve të Durrësit, Shqipërisë dhe vizitorëve”.

Më tej Balluku u shpreh se “Durrësi do të bëhet me dy porte, porti turistik i “Marinës dhe jahteve” dhe Porti Tregtar i Porto Romanos në zonën e dedikuar për një zhvillim industrial”.

“Tashmë kompania holandeze “Royal HaskoningDHV”, me të cilën do të kemi fatin që të prezantojmë këtë projekt për kompanitë që janë të interesuara për zhvillimin e projektit. Në 1 shkurt do të bëjmë prezantimin e projektit të detajuar inxhinierik, janë 40 kompani që janë interesuara dhe do të marrin pjesë në tryezën e përbashkët. Ka një interes të lartë për këtë port. Ky do të jetë një port që do jetë i lidhur me dy porte të tjera të thata njëri në Prishtinë dhe tjetri në Strugë. Ky port do të ketë ndikim në zhvillim ekonomik të rajonit”, nënvizoi Balluku.

Ministrja Balluku vuri në dukje se “ky port do të shtrihet në 450 ha krahasuar me aktualin që shtrihet në 80 ha. Është një port që do të jetë i aksesueshëm për 3-4 dekadat e ardhshme, për anije të tonazhit të lartë, pasi thellësia e portit do të jetë 16 metër, i cili varion nga nga 9-11 metër që është tani”.

Balluku tha se “ky projekt është një ndërmarrje historike, që do të ndryshojë një herë e përgjithmonë Durrësin, por edhe Shqipërinë sa i përket industrisë detare. Këto projekte do ta kthejnë Durrësin në pikë reference të Ballkanit Perëndimor dhe Mesdheut”./ atsh / KultPlus.com

Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku theksoi sot se “projekti “Durrës Yacht & Marina” është më i madh ekonomik që Republika e Shqipërisë ka pasur ndonjëherë, ku për herë të parë shteti shqiptar është bashkëaksioner në projektin me një vlerë investimi prej rreth 2 miliardë euro”.

Të ngjajshme