11 Dhjetor, 2021 - 1:27 pm
Eventi i përvjetshëm “Vrapo Babadimër” do të organizohet edhe këtë vit dhe me gjithëpërfshirje të plotë pritet të shënohet edicioni i gjashtë, që pritet të ndihmojë më shumë se 700 familje, shkruan KultPlus.
Organizatori i maratonës “Vrapo Babadimer” të Organizatës Jo-Qeveritare “Projekti 5 cent”, Jusuf Islami, ka thënë në një prononcim për KultPlus se gjithëpërfshirja dhe ndihma për njerëzit në nevojë është pikërisht synimi i tyre.
“Evente të tilla dhe maratona të ngjashme ka nëpër vende të ndryshme të botës. Qëllimi kryesor i tyre është bamirësia për njerëzit në nevojë. Në bashkëpunim me Kryqin e Kuq do të ndihmojmë më shumë se 700 familje, përzgjedhjen të cilëve e kanë bërë ata”, ka thënë Islami.
Ai tutje gjithashtu ka thënë se përmes këtyre eventeve, media të ndryshme evropiane dhe botërore marrin vëmendjen tonë dhe sigurisht që bëhet edhe promovimi i kulturës.
“Me organizime të bukura ne gjithmonë synojmë që të bëjmë promovimin e kulturës dhe jo vetëm në vendin tonë”, shtoi tutje Islami.
Organizatori i kësaj maratone gjithashtu bëri të ditur se përveç blerjës së kostumeve, ata kanë dhuruar edhe për shoqatën “Down Syndrome Kosova”, pasi që synim kryesor e kanë gjithëpërfshirjen.
Detaje të tjera për këtë event, Islami i nda me KultPlus duke treguar se pjesëtarë të KFOR-it kanë bërë një maratonë në kampet e tyre.
“Për shkak të situatës me COVID-19, pjesëtarët e KFOR-it kanë bërë një maratonë gjatë ditës së djeshme në ambientet e tyre, derisa kanë qenë në mbështetje të maratonës në katër vitet e fundit”, pohoi Islami.
Programi i kësaj maratone do të fillojë në ora 11:00 të dielën, me ç ‘rast do të ketë edhe një program muzikor derisa me fillim nga ora 13:00 pritet që të zhvillohet starti dhe finishi në sheshin “Nëna Terezë”. /KultPlus.com