5 Shtator, 2023 - 1:33 pm
Banka e Shqipërisë ka prodhuar monedhë me figurën e Shën Nënë Terezës, me rastin e 26 vjetorit të vdekjes së saj, shkruan KultPlus.
Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910, në Shkup, në një familje katolike dhe ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë.
Nënë Tereza ishte një murgeshë dhe misionare katolike, e njohur për punët e saj bamirëse në ndihmë të njerëzve të varfër, të uritur dhe të sëmurë të Indisë. Ajo themeloi Misionarët e Bamirësisë, të cilët drejtuan mbi 500 misione në mbarë botën.
“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe”, mbetet një nga shprehjet më frymëzuese të gruas, e cila në vitin 1979, u nderua me Çmimin Nobel për Paqen.
Më 4 shtator 2016, Papa Françesku e shpalli atë shenjtore në një ceremoni madhështore në sheshin “Shën Pjetër”, ku merrnin pjesë mijëra besimtarë nga e gjithë bota. 5 shtatori shënon Ditën e Shenjtores shqiptare, Shën Tereza e Kalkutës.
Në sajë të përkushtimit dhe dashurisë së pakufishme që ajo u dhuroi komuniteteve në nevojë, Nënë Tereza mbetet një nga gratë më të admiruara në botë. Në nder të kësaj figure shqiptare, kontributi i të cilës ka ende edhe sot jehonë të jashtëzakonshme në të gjithë globin, në vitin 2012, Banka e Shqipërisë emetoi një monedhë përkujtimore.
Ana e përparme: në qendër të monedhës qëndron një pëllumb i stilizuar në fluturim, si simbol i paqes. Ngjyra e pëllumbit dhe ajo e shiritave harkorë e harmonikë, që mbyllin formën rrethore të monedhës, është e njëjtë me atë të shamisë, në pamjen pas të monedhës. Në pjesën e poshtme, shkruhet vlera emërore, 200 Lekë. Në hark sipër, në formë simetrike, dy degë ulliri, si simbol i paqes që Nënë Tereza përcolli midis njerëzve.
Ana e prapme: në qendër të monedhës është vendosur portreti i Nënë Terezës. Mbi portret shkruhet “NËNË TEREZA” dhe vitet e lindjes e të vdekjes. Poshtë portretit shkruhet emri i lindjes “Anjezë Gonxhe Bojaxhiu” dhe në hark poshtë “SHQIPËRI – ALBANIA 2012”./KultPlus.com