Barbadosi zgjedh për herë të parë një presidente grua

21 Tetor, 2021 - 5:29 pm

Barbadosi ka zgjedhur për herë të parë një presidente grua, në kohën kur po bëhet gati që të shndërrohet në Republikë, duke e larguar Mbretëreshën Elizabeth nga pozita e kreut të shtetit.

Dame Sandra Mason, 72-vjeçare pritet të betohet më 30 nëntor, në ditën kur do të shënohet 55 vjetori i pavarësisë nga Britania e Madhe.

Si gruaja e parë që ka shërbyer në Gjykatën e Apeleve, Dame Sandra ka qenë guvernatore e përgjithshëm që nga viti 2018, transmeton KultPlus.

Qeveria e Barbadosit kishte njoftuar për planin e saj që të kalojë në statusin Republikë, qysh vitin e kaluar.

Sipas Qeverisë, ka ardhur koha që Barbadosi “të lë përfundimisht pas të kaluarën e saj koloniale”. Ndryshimi ishte rekomanduar nga një rishikim kushtetues në vitin 1998.

Zgjedhjet historike kanë ardhur pas një sesioni të përbashkët të Shtëpisë së Asamblesë dhe Senatit, të mërkurën.

Kryeministri i Barbadosit, Mia Mottely e ka përshkruar votën si një “moment thelbësor” për kombin.

Me një popullatë prej rreth 385,000 banorë, Barbadosi është një prej ishujve më popullore dhe prosperuese të Karaibeve.

Barbadosi nuk do të jetë ish-kolonia e parë britanike në ishujt Karaibe që shndërrohet në Republikë. Guyana kishte bërë të njëjtën gjë në vitin 1970, pas më pak se katër vitesh pasi kishte shpallur pavarësinë nga Britania e Madhe. Trinidadi dhe Tobago vazhduan në vitin 1976 ndërkaq Dominica në vitin 1978.

Edhe Jamaica ka sugjeruar në të kaluarën se mund ta konsiderojë ndryshimin e statusit. / KultPlus.com

Të ngjajshme