5 Korrik, 2024 - 2:17 pm
Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës u hap ekspozita personale e Barbara Prenkës, e kuruar nga Zef Paci me titull “Covers”.
“Barbara Prenka është një artiste e re, e vendit dhe e ardhur, që ndonëse studimet i ka në pikturë (një art jo ngushtësisht utilitar), kësaj radhe sjell jorganin, një objekt utilitar që ka udhëtuar nga bota e artizanatit në atë të dizajnit dhe të artit, nga teknika artizanale në atë industriale”, ka thënë Paci, në vlerësimin e tij kuratorial.
Sipas Pacit, Prenka operon duke u mbështetur sa te koncepti aq edhe te preokupimet estetike e landore.
“Arsyeja e risjelljes sot të këtyre mbulesave gjendet ne ngarkesën e fortë simbolike që ato bartin për autoren, si dhe për mëtimin e saj se objekti i artit asht një jehonë që mbet brenda nesh dhe është i thirrur parreshtur prej kërkimit tonë për identitet”, ka thënë Paci./rtk/KultPlus.com