10 Tetor, 2022 - 9:01 am
Presidenti Joan Laporta ka zbuluar se Barcelona do ta ndërtojë një statujë të Lionel Messit në oborrin e stadiumit “Camp Nou”.
Ky do të jetë një vlerësim i gjigantit katalunas për legjendën argjentinase, i cili dha gjithçka nga vetja dhe fitoi gjithçka me klubin spanjoll.
Messi u largua nga Barça vitin e kaluar pas afro 20 vjetësh pasi i skadoi kontrata dhe s’e vazhdoi atë shkaku i borxheve të “Blaugrana”, shkruan “Gazeta Express”.
Sidoqoftë, edhe pse u largua me lot në sy nga klubi i tij i zemrës, 35 vjeçari mund të rikthehet në “Camp Nou” verën tjetër, pas dy vjetësh të kaluar në Paris Saint-Germain, kur edhe do t’i skadojë kontrata me gjigantin francez.
E tash, Barça po mendon ta bëjë të pavdekshëm shtatë herë fituesin e Topit të Artë.
“Ne do ta ndërtojmë një statujë të Leo Messit jashtë stadiumit Camp Nou. Vendimi është marrë”, u shpreh Laporta.
Futbollisti jug-amerikan e ka në opsion qëndrimin në PSG dhe vazhdimin e një kontratë luksoze, por edhe transferimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, më i mundshëm duket të jetë një rikthim i tij në Camp Nou pasi të gjithë e duan këtë. /KultPlus.com