Bashkëjetesa e shqiptarëve të Ulqinit me të ardhurit nga Afrika

2 Shkurt, 2020 - 7:28 pm

Deri në vitin 1878 në Ulqin jetonin 100 familje me ngjyrë, kurse sheshi i Qytetit të Vjetër, ku, sipas legjendës, ishte i zënë rob edhe shkrimtari i njohur, Servantesi, u bë Sheshi i skllevërve. Zahra, një vajzë me ngjyrë me prejardhje nga Sudani, u martua me ulqinakun Haxhi Halil Ficin, major i ushtrisë turke. Më vonë të ardhurit me ngjyrë gëzonin më shumë liri në Ulqin, dy prej tyre, për shembull, ishin edhe kapitenë të anijeve

Nga Anisa DEMIRAJ

Nëse Ulqinin e njihni vetëm për pjesën e bukurisë dhe të luftërave të zhvilluara për të, e keni shumë gabim. Ulqini është edhe një nga qytetet unik në Ballkan që si popullsi vendase ka edhe njerëzit me ngjyrë. Ja cilat janë dëshmitë që na vijnë. Paula Royster ka si specialitet të saj të ngushtë gjenealogjinë afro-amerikane dhe këtë herë ka folur për afro-malazezët e Ulqinit.

Ulqini është vend me një traditë të gjatë dhe të pasur detare dhe tregtare. Detaria e këtij qyteti ngritjen e vet më të madhe e arriti në shekullin XVII, XVIII dhe gjatë shekullit XIX. Në kohën e sundimit turk (1571-1880) Ulqini, me flotën e vet tregtare, ishte shtylla kryesore e Perandorisë Otomane në Adriatik. Anijet e Ulqinit, sipas nevojës, i shërbenin Portës edhe për qëllime lufte, sidomos kundër rivalit të madh, Venedikut. Kusaria e Ulqinit përmendet që në shekullin XIV, por pas vendosjes së 400 piratëve arabë nga Malta, Tunizia dhe Algjeria në Ulqin, pas luftës kandike (1669), Ulqini, në shekullin XVII e XVIII, u shndërrua në çerdhe të rrezikshme të kusarëve.

Në kohën e kusarisë, piratët e Ulqinit merreshin edhe me tregti me skllevër me ngjyrë. Tripolisi (Tarabulusi) ishte liman kryesor eksportues, në të cilin bliheshin skllevërit nga viset e ndryshme të Afrikës Veriore, ndër të cilët kishte edhe mjaft fëmijë të moshës 2 3 vjeçare. Kusarët dhe tregtarët i shitnin skllevërit ose i linin që të punonin në pasuritë ose në anijet e tyre. Deri në vitin 1878 në Ulqin jetonin 100 familje me ngjyrë, kurse sheshi i Qytetit të Vjetër, ku, sipas legjendës, ishte i zënë rob edhe shkrimtari i njohur, Servantesi, u bë Sheshi i skllevërve. Por, kishte edhe njerëz me ngjyrë që vinin si të lirë në Ulqin. Zahra, një vajzë me ngjyrë me prejardhje nga Sudani, u martua me ulqinakun Haxhi Halil Ficin, major i ushtrisë turke. Më vonë të ardhurit me ngjyrë gëzonin më shumë liri në Ulqin, dy prej tyre, për shembull, ishin edhe kapitenë të anijeve. Në bjeshkën e Pinjeshit është edhe fusha që e mban emrin Fusha e Arapëve. Aty mblidheshin njerëzit me ngjyrë dhe luanin lojëra të tyre rituale. Lidhur me këto lojëra është krijuar edhe loja “Sharaveli”, si kombinim i melosit dhe ritmit vendës të Ulqinit dhe melosit e ritmit afrikan, që luhet edhe sot në një formë të modifikuar.

Në atë kohë ekzistonte edhe kafeneja “Trumo” që quhej edhe kafeneja e Arapëve, sepse pronarë dhe shërbyes ishin vetëm ata. Ulqini është sot i vetmi qytet në Adriatik në të cilin jetojnë prej disa gjeneratash edhe banorë me ngjyrë. Çdo sulm të kryer me sukses në ndonjë anije, kusarët e kremtonin pas kthimit me festë të bujshme në gjirin e Plazhit të Vogël. Në kazanë të mëdhenj zihej hallva. Prijësi i njohur i kusarëve të Ulqinit, Likë Ceni, në një e rast fundosi anijen në të cilën gjendeshin haxhinjtë në udhëtim për në Mekë. Sulltani, për këtë akt, e ndiqte dhe ia premtoi një shumë të madhe të hollash atij që do ta zinte ose do ta vriste, në atë kohë u paraqit në det kusari tjetër i quajtur Lambro (Aralampia) i lindur në Greqi, Lambro u bë i tmerrshëm për shumë detarë e tregtarë, kështu që Sulltani i premtoi një shpërblim edhe më të majmë atij që do ta vriste.
Meqenëse nuk u gjet askush që do ta bënte këtë, Sulltani i çoi fjalë Likë Cenit se do t’ia falte të gjitha në qoftë se do ta vriste ose do ta zinte Lambron. Likë Ceni e priti me kënaqësi ofertën dhe u obligua se ose do ta “vriste Lambron ose do të vritej vetë”. Pas një kohe u bë dyluftimi në të cilin Lambroja u vra. Për këtë shërbim që i bëri, Sulltani ia dha Likë Cenit titullin e kapitenit dhe pastaj edhe familja e Likës e mori këtë mbiemër.

Me Paqen e Pozharevcit në vitin 1718, shqyrtohet çështja e kështjellës së Ulqinit, kusarëve të Ulqinit dhe anijeve të tyre. Ndër të tjera, parashihet edhe t’u ndalohet ulqinakëve marrja me kusari dhe ndërtimi i anijeve për këto qëllime. Ulqinakëve u ndalohet rreptësishtë çdo lundrim kusarie apo çfarëdo dëmi, pengese a sulmi ndaj anijeve tregtare dhe lundrimit të lirë. Parashihet gjithashtu që t’u merreshin galeotat dhe mos t’u lejohet ndërtimi i të tjerave, që t’i kthejnë apo kompensojnë dëmet, t’i lirojnë robërit. Mirëpo, kusarët e Ulqinit nuk i respektuan këto marrëveshje dhe vazhduan aktivitetin e tyre. Kështu që Porta, në të cilën më parë mbështeteshin ulqinakët që, siç thuhet, në kohën e paqes merreshin me tregti djallëzore, kurse gjatë luftës ishin shtyllë e fortë e Perandorisë Osmane dhe i bënin dëme Venedikut, u desh të ndërmerrte masa më të rrepta ndaj tyre.

Megjithatë, në gjysmën e parë të shekullit XVIII, pra edhe pas vitit 1718 deri në vitin 1755, janë shënuar shumë sulme të kusarëve ulqinakë ndaj perastasve në det dhe në breg. Gjatë kësaj periudhe përmendet edhe kusari i njohur ulqinak Ali-Korza me tartanën e vet. Ai mbahej, siç thuhet, se lundronte me anije tregtare, në mënyrë që të mund t’i realizonte më lehtë sulmet në anije të ndryshme. As pas Paqes së Beogradit (1739), me të cilën arrihet marrëveshja për ndalimin e kusarisë së ulqinakëve, nuk arrihet shuarja e këtij aktiviteti. Në këtë periudhë bëhet fjalë për përleshjet e detarëve ulqinakë me ata perastas, me pasoja negative tregtare ekonomike. Mes Ulqinit dhe Venedikut ekzistonte një marrëveshje me të cilën Ulqini detyrohej të mbronte anijet venedikase në limanet që ishin të varura prej tij. Mirëpo, në vitin 1748 pirati Haxhi Mustafa Ulqinaku e pat shkelur këtë marrëveshje duke rrëmbyer në Bunë një anije të Venedikut dhe marrë skllav kapitenin e saj me dy shokë të tjerë, që u çuan në Valdanos në tartanën korsare. Thuhet se në Valdanos shkoi kapidan Lika Ceni me nënën e tij, për të kërkuar mirësinë për lirimin e tyre, por më kot. Ndaj këtij veprimi reaguan agallarët e Ulqinit duke e akuzuar Haxhi Mustafën që nuk e ka respektuar Bunën si skele të sigurt(…).

Nga kjo periudhë përmenden edhe angazhimet e Turqisë në shpartallimin e kusarisë së Ulqinit. Në këtë drejtim përmendet edhe angazhimi i Sulejman-Pashës fuqiplotë, armikut të përbetuar të ulqinakëve, i cili urdhëroi që të digjen anijet ulqinake që gjendeshin të ankoruara në Gjirin e Valdanosit. Një sulm i tillë me tradhti ndaj anijeve ulqinake në Valdanos i ngarkohet vezirit të Shkodrës Mehmed Bushatlisë në vitin 1760. Ka mendime që mbështeten edhe në ndonjë gojëdhënë sipas të cilës kusarët ulqinakë të befasuar nga ky sulm i papritur vetë i dogjën disa anije me thesar që mos t’i bien në dorë armikut.

Megjithatë, kusaria e ulqinakëve vazhdon me befasi të kohë pas kohshme. Kështu Faik Konica, duke bërë fjalë për kusarin shqiptar Arnaut Memi i cili pat zënë rob Servantesin, shton se “Në fillim të prillit të vitit 1770 anijet kusare shqiptare të Ulqinit e munden flotën ruse të Aleksis Orlovit në Navarinë”. Kah fundi i shekullit XVIII kusaria në Adriatik fillon të shuhet, por ende ka pasur aty-këtu lëvizje të kusarëve ulqinakë. Megjithatë, gjatë tërë kësaj periudhe, madje edhe gjatë gjysmës së parë të shekullit XVIII, kur kusaria ishte më e fuqishme, anijet ulqinake lundronin rregullisht si anije tregtare duke transportuar mallra të ndryshme dhe duke u paraqitur në mënyrë legale organeve të limaneve të caktuara.

Në fillim të shekullit XlX përmendet edhe trabakula Mezzo Vento e ulqinakut Mustafë Reis Hotit, i cili në lundrim prej Ulqini në Triestë, duke transportuar lesh, vaj, lëkurë, pëson avari, gjë që u pat regjistruar edhe në arkivat e Dubrovnikut. Ky dhe raste të ngjashme të regjistruara dëshmojnë se ulqinakët kryesisht kishin kaluar me anijet e tyre në aktivitetin e rregullt tregtar.

Kusaria e Ulqinit thuajse fillon të zhduket plotësisht pas vitit 1821, kur nis të qarkullojë në Adriatik flota luftarake e Austro-Hungarisë. Prej kësaj kohe bëhen edhe përpjekje për pengimin e tregtisë me skllevër, që kishte marrë hov krahas lulëzimit të detarisë dhe kusarisë së Ulqinit gjatë dy shekujve paraprakë. Ata kanë lënë gjurmë në kohë jo vetëm si skllevër në familjet e njohura detare ulqinake, por edhe si njerëz të lirë, detarë, peshkatarë, kapedanë e pronarë të anijeve.

Deri kah viti 1880, mendohet se në Ulqin ka pasur afro 100 familje zezake, numri i të cilave u pakësua në vazhdim, sidomos prej vitit 1880, me rastin e shpërnguljes së shumë familjeve detare ulqinake të cilat me vete morën edhe shumë zezakë apo harapët e tyre, siç u thonë ulqinakët. Pak para Kongresit të Berlinit, përkatësisht në vitin 1877, në Ulqin u internua si “shqiptar” piktori i njohur shqiptar, shkodrani Kolë Idromeno, I cili qëndroi një vit dhe kohë pas kohe në këtë trevë, sidomos në Kishën e Salçit, punoi disa afreska për muret e saj, gjurmët e të cilave dallohen edhe sot. Nga veprimtaria e tij artistike ka mbetur një pikturë, në teknikën pëlhurë në vaj, me motive nga Ulqini, me titull “Shkrepi i Ulqinit” nga viti 1897, i identifikueshëm me të quajturën “Punta e Nuredinit”, rrëzë një bedeni në veriperëndim të gadishullit. Pak pas tij, përkatësisht nga viti 1910 njihen disa piktura me motive nga kjo trevë të realizuara nga piktori Pero Poçek.

Sa i takon zhvillimit urban apo arkitektonik të Ulqinit gjatë kësaj periudhe të sundimit të Turqisë, vlen të përmendet Kisha e Shën Nikollës në Malin e Bardhë (e ndërtuar më 1869), si kishë ortodokse afër së cilës, në vitin 1875, përfundoi së ndërtuari edhe kisha katolike e Shën Zefit, që konsiderohet si godina e fundit, me karakter të shenjtë-katolik, që u ndërtua në këtë trevë gjatë sundimit otoman. Pas Kongresit të Berlinit, kur Ulqini iu aneksua Malit të Zi, e më konkretisht në vitin 1890, u ndërtua Kisha e Shën Nikollës nën Meteriz, në themelet e xhamisë nga koha e Turqisë.

Burimi: http://ulqini-online.com/sajti/?p=15694

Të ngjajshme