3 Nëntor, 2020 - 2:39 pm
Bashkësia Islame e Kosovës ka dënuar aktet terroriste në Vjenë duke i quajtur si atak mbi vlerat njerëzore, humane e hyjnore, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi duke cituar një pjesë Kuranore se kush vret një njeri është sikur të ketë vrarë mbarë njerëzimin, Bashkësia Islame e Kosovës e ka quajtur vepër të papranueshme terrorin e mbrëmshëm në Austri.
“Vepër e dënueshme dhe e papranueshme që për qëllim ka frikën, shantazhin e kaosin, si dhe sfidimin e rendit dhe ligjit”, thuhet në reagim.
Në anën tjetër, ky institucion fetar ka shkruar se nuk duhet bërë asnjë kompromis me terrorin.
“Terroristët nuk përfaqësojnë asnjë vlerë e asnjë besim përveç krimit e terrorit. Terrori nuk ka fe, por ka ideologji që ne nuk duhet pranuar e heshtur para tij”, vazhdon tutje BIK.
Në fund, në reagim Bashkësia Islame e Kosovës ka shprehur bashkëndjesinë ndaj familjes së viktimave, duke i uruar shërim të plagosurve./KultPlus.com