29 Janar, 2025 - 12:02 pm
Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e nismës për vendosjen e statujës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në sheshin që mban po të njëjtin emër në lagjen 19 të kryeqytetit francez, Paris.
Ky projekt, falë bashkëpunimit të frytshëm me kryetaren e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, ka për qëllim forcimin e lidhjeve kulturore ndërmjet dy vendeve dhe promovimin e vlerave historike të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Statuja do të jetë një riprodhim i veprës ikonike të skulptorit të njohur shqiptar, Odhise Paskali, e cila u përurua për herë të parë në janar të vitit 1968, për të shënuar 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Bashkia Tiranë nëpërmjet ekipit të Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit është duke punuar për ta sjellë këtë kryevepër në formën më të përsosur, duke ruajtur autenticitetin dhe fuqinë artistike që ajo përfaqëson.
Ky projekt është pjesë e një strategjie afatgjatë për të promovuar artin dhe historinë shqiptare në botë. Në vitet e fundit, Bashkia e Tiranës ka realizuar projekte të ngjashme, si vendosja e statujës së Skënderbeut në Budapest, Hungari, ku ajo qëndron përballë statujës së heroit hungarez, Janosh Huniadi.
Ceremonia e përurimit të statujës pritet të zhvillohet së shpejti, me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohura nga Shqipëria dhe Franca, si dhe përfaqësuesve të diasporës shqiptare në Evropë./atsh/KultPlus.com