BE e ngarkon Shqipërinë për të identifikuar dhe mbrojtur trashëgiminë e saj natyrore

5 Gusht, 2022 - 11:30 am

Rrugëtimi drejt integrimit dhe anëtarësimit në BE e ngarkon Shqipërinë me detyrimin për të identifikuar dhe mbrojtur trashëgiminë e saj natyrore me interes të lartë ruajtjeje për Bashkimin Europian, duke përcaktuar, shpallur dhe mbrojtur një rrjet zonash veçanërisht të mbrojtura të njohur si ‘Rrjeti Natyra 2000’.

Ekspertë të bujqësisë dhe mjedisit që po punojnë për përafrimin e legjislacionit sipas standardeve të BE-së u shprehën se, qëllimi i Zonave Natyra 2000 është të sigurojë mbijetesën afatgjatë të specieve dhe habitateve sipas përcaktimeve të dy direktivave europiane, përkatësisht Direktiva për Shpendët dhe Direktiva për Habitatet.

Sipas ekspertëve, direktivat janë një mjet me të cilin Bashkimi Europian i përmbush detyrimet e veta në përputhje me Konventën e Bernës (Bern Convention).

Synimi kryesor i Direktivës së Habitateve është promovimi i mirëmbajtjes së biodiversitetit, duke u kërkuar vendeve anëtare që të ruajnë ose të rikthejnë habitatet natyrore dhe speciet e egra të regjistruara në Anekset e Direktivës, në një status të favorshëm të ruajtjes/konservimit, duke aplikuar mbrojtje të fuqishme për ato habitate dhe specie me rëndësi europiane.

Ekspertët shprehen se, është shpallur një rrjet i vendndodhjeve të Natura 2000-shit në gjithë Europën, (përfshirë edhe Shqipërinë) për të mbrojtur ato habitate dhe specie me rëndësi europiane. Ky rrjet përbëhet nga Zona të Posaçme të Ruajtjes/Konservimit (SACs) dhe Zona të Posaçme të Mbrojtjes (SPAs), të themeluar sipas Direktivës së Habitateve (92/43/EEC2 dhe të Direktivës për Zogjtë (2009/147/EC)3.

Sipas tyre, sot organizatat që operojnë në këtë fushë në vendin tonë, po diskutojnë një marrëveshje bashkëpunimi, ku do të përcaktojnë mënyrën e funksionimit të rrjetit në mbështetje të rritjes së kapaciteteve, informimit dhe aktivizimit në fushata konsultuese, pjesëmarrjeje dhe mbrojtëse për procesin e identifikimit dhe shpalljes së zonave Natyra 2000 me pjesëmarrje publike. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme