23 Prill, 2025 - 3:57 pm
Komisioni Evropian ka gjobitur gjigantët e teknologjisë “Apple” dhe “Meta” për shkelje të rregullores së re digjitale të BE-së, sipas politico.eu.
“Apple” përballet me një gjobë prej 500 milionë eurosh për shkeljen e rregullave të rregullores në “App. Store”, ndërsa “Meta” me një gjobë prej 200 milionë eurosh për modelin e saj të reklamimit “paguaj ose mirato”, i cili kërkon që përdoruesit e Bashkimit Europian të paguajnë për të hyrë në versionet ad-free të Facebook dhe Instagram.
Akti i Tregjeve Digjitale (DMA) – i cili hyri në fuqi në vitin 2024 – vendos rregullat për mënyrën se si kompanitë e teknologjisë duhet të operojnë në tregun evropian.
Dy gjobat janë rezultat i hetimeve 1-vjeçare mbi aktivitetet e gjigantëve të teknologjisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përveç gjobës, kundrejt “Apple” është lëshuar një urdhër pushimi dhe ndalimi që ka të bëjë me ndryshime të mëtejshme të produktit deri në fund të qershorit.
Nëse kompania nuk respekton kushtet, Komisioni mund ta gjobisë atë për çdo ditë që është në kundërshtim me ligjin.
Aktualisht, komisioni është duke vlerësuar ndryshimet që “Meta” prezantoi në fund të vitit të kaluar – për të respektuar rregulloren.
Një zyrtar i lartë i BE-së tha se për përcaktimin e gjobave të shpallura sot – Komisioni kishte pasur parasysh se këto janë gjobat e para të lëshuara sipas aktit DMA dhe se, për “Meta”, shkelja ishte pezulluar në nëntor, vetëm disa muaj pasi Brukseli shprehu shqetësimet e tij.
Ekzekutivi i BE-së njoftoi se ka mbyllur një hetim mbi përputhshmërinë e “Apple” me rregullat e DMA-së për browsers dhe default apps (aplikacionet e paracaktuara) pas ndryshimeve që ndihmuan konkurrentët si “Mozilla” të fitonin një terren në pajisjet iOS.
“Apple” dhe Meta nuk kanë respektuar DMA-në duke zbatuar masa që përforcojnë varësinë e përdoruesve të biznesit dhe konsumatorëve nga platformat e tyre. Si rezultat, ne kemi ndërmarrë veprime të rrepta, por të ekuilibruara zbatuese kundër të dyja kompanive, bazuar në rregulla të qarta dhe të parashikueshme”, tha komisionerja e BE-së për Konkurrencën, Teresa Ribera në një deklaratë për shtyp. /atsh/ KultPlus.com