29 Korrik, 2020 - 8:29 pm
Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se 9.985 milionë euro janë disbursuar në Thesarin e Kosovës si ndihmë nga Komisioni Evropian, të cilat kanë të bëjnë me standardet e dakorduara lidhur me reformat në administratën publike dhe në menaxhimin e financave publike, raporton Gazeta Express.
“Mbështetja e BE-së për Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike shpërblen progresin që e bën qeveria në zbatimin e strategjive të saj dhe në arritjen e synimeve të dakorduara ndërmjet BE-së dhe Qeverisë së Kosovës. BE është duke punuar me Qeverinë e Kosovës në këto reforma që nga dhjetori i vitit 2017”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së.
Komisioni Evropian pret që Qeveria të përshpejtojë reformat në Administratën Publike.
“Për ta çuar këtë përpara, qeveria tani duhet të përshpejtojë dinamikën e reformave. Në veçanti, Komisioni pret që qeveria të mbetet e përkushtuar për zbatimin e paketës legjislative të reformës së Administratës Publike dhe për hapat e nevojshëm për përmirësimin e llogaridhënies së agjencive të pavarura, të vazhdojë me politikat makroekonomike të orientuara drejt stabilitetit dhe të rrisë transparencën, veçanërisht sa i përket shfrytëzimit të fondeve buxhetore dhe proceseve të prokurimit publik”, thuhet në njoftim.
Tutje Zyra e BE-së njofton se kjo shumë financiare po ashtu do të ndihmojë Kosovën në luftimin e pandemisë.
“Kjo mbështetje e BE-së po ashtu do të ndihmojë Kosovën edhe në luftimin e pandemisë COVID-19 dhe ndikimit të saj në ekonomi dhe financa publike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së. /KultPlus.com