15 Korrik, 2021 - 10:30 pm
Komisioni Evropian ka thënë se ka filluar masa ligjore kundër Hungarisë dhe Polonisë për atë që e ka cilësuar si diskriminim kundër komuniteteve LGBT në këto dy shtete të BE-së.
Organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian tha të enjten se masat e tij kundër Hungarisë janë të lidhura me ligjin e ri, që ua ndalon shkollave përdorimin e materialeve që shihen si promovim i homoseksualitetit. Ky ligj është kundërshtuar ashpër nga BE-ja, por Hungaria dukej e vendosur për të mos hequr dorë dhe e miratoi atë ditë më parë.
Masat kundër Polonisë lidhen me vendimin e disa rajoneve dhe komunave për ta shpallur veten “zona të lira nga ideologjia LGBT” dhe me dështimin e autoriteteve për të reaguar ndaj hetimeve në këtë çështje, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
“Komisioni është duke filluar procedura për shkelje kundër Hungarisë dhe Polonisë në lidhje me barazinë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
“Dy shtetet anëtare tani kanë dy muaj për t’iu përgjigjur argumenteve të ngritura nga Komisioni. Në të kundërtën, Komisioni mund të vendosë që t’iu dërgojë atyre një opinion të arsyetuar dhe në një hap të ardhshëm t’i drejtojë ato në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian”, shtohet më tej.
Në Hungari, qeveria nacionaliste e kryeministrit Viktor Orban ka sjellë policika sociale më radikale si pjesë e asaj që e cilëson si mbrojtje të vlerave tradicionale të krishtera nga liberalizmi perëndimor.
Në Poloni, gati 100 autoritete lokale kanë miratuar rezoluta që e kundërshtojnë atë që e quajnë “ideologji LGBT”. Aktivistët për mbrojtjen e këtij komuniteti thonë se këto zona kanë nxitur dhunë dhe kanë kontribuuar në shëndetin e dobët mendor të pjesëtarëve të rinj në moshë të komunitetit LGBT. / Express / KultPlus.com