16 Qershor, 2020 - 6:00 pm
Shefi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, u takua sot me ministren e Kulturës, Elva Margariti për të diskutuar mbi programin e ardhshëm të financuar nga BE-ja për rimëkëmbjen pas tërmetit në trashëgiminë kulturore – EU4Culture.
Gjatë takimit, Soreca dhe Margariti diskutuan gjithashtu për programin e Bylisit për të promovuar sitin si një destinacion turistik dhe nisma të tjera të BE-së për promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë midis dy institucioneve në fazat e projektimit dhe zbatimit të programeve të financuara nga BE-ja në kulturë, si dhe konsultimi me palë të interesuara përkatëse nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës.
Zyra e informimit dhe komunikimit e delegacionit të BE-së në Tiranë sqaron se “pas një kërkese të parë të ministres së Kulturës në mars 2018 dhe konsultimeve të mëtejshme me Delegacionin e BE-së gjatë vitit 2018, ministrja shqiptare e Kulturës, më 20 dhjetor 2018, kërkoi zyrtarisht që BE-ja të sigurojë ndihmë financiare për të ndërhyrë në Bylis, përmes Programit “BE për Zhvillim Ekonomik – Zhvillimi Ekonomik Vendor i udhëhequr nga Turizmi, me fokus Trashëgiminë Kulturore”.
“Qeveria shqiptare konsideroi se Delegacioni i BE-së kishte siguruar “mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare” dhe se Bylisi përfaqësonte një vend ideal për ta vazhduar një bashkëpunim të tillë, për shkak të rëndësisë së tij kulturore dhe potencialit të turizmit”, tha Zyra e informimit dhe komunikimit e delegacionit të BE-së në Tiranë.
Sipas saj, programi prej 6 milionë Eurosh përqendrohet në promovimin e sitit të Bylisit si një destinacion turistik. Projekti përfshin punime konservimi dhe restaurimi, përmirësime të infrastrukturës, si dhe zhvillim të potencialeve të zhvillimit ekonomik të sitit.
“Bisedimet dhe përgatitjet për këtë projekt janë në vazhdim. Data indikative e parashikuar e nisjes është fillimi i vitit 2021, me një kohëzgjatje prej 3 deri në 4 vjet. Projekti nuk përfshin menaxhimin aktual të parkut arkeologjik të Bylisit, i cili është përgjegjësi vetëm e institucioneve kompetente shqiptare”, tha Zyra e informimit dhe komunikimit e delegacionit të BE-së në Tiranë.
Projektet e përfunduara të BE-së, shton kjo zyrë, u janë dorëzuar institucioneve shqiptare, kurrë ndërmarrjeve private apo fondacioneve. “Në rastin e Bylisit, kjo do të thotë që institucionet shqiptare do të jenë përgjegjëse për të zgjedhur se si ta menaxhojnë sitin, sipas ligjeve në fuqi”, përfundon Zyra e informimit dhe komunikimit e delegacionit të BE-së në Tiranë. /KultPlus.com