BE ndan 13 milionë euro për ushtrinë e Shqipërisë dhe forcimin e sigurisë në rajon

15 Korrik, 2024 - 8:26 pm

Këshilli Europian miratoi sot një masë ndihme në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes me vlerë 13 milionë euro, me qëllim rritjen e efektivitetit operacional të Forcave të Armatosura Shqiptare, veçanërisht në drejtim të lëvizshmërisë, manovrimit dhe mbrojtjes.

Ndihma do të forcojë gjithashtu kapacitetet e Shqipërisë në lidhje me pjesëmarrjen e saj në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së, si dhe në çdo koalicion ndërkombëtar.

“Shqipëria është një partner i besueshëm për sigurinë dhe një vend kandidat për në BE. Vendimi i sotëm është një arritje e rëndësishme në bashkëpunimin tonë për sigurinë dhe mbrojtjen. Gjithashtu, ai pasqyron vlerësimin tonë për qëndrimin e Shqipërisë në linjë të plotë me Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së, një shprehje shumë e qartë e zgjedhjes strategjike të Shqipërisë për një të ardhme brenda BE-së”, u shpreh Josep Borrell, Komisioner i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë

Ky vendim është rezultat konkret i angazhimit në rritje me Shqipërinë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke reflektuar përafrimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Mekanizmi Evropian i Paqes do të sigurojë pajisje që nuk janë projektuar për të prodhuar forcë eliminimi fizik dhe, aty ku nevojitet, furnizime dhe shërbime të tjera, përfshirë trajnim teknik. Forca Tokësore Shqiptare do të marrë mjete të lehta të blinduara shumëfunksionale. Këto mjete janë të pajisura për të siguruar lëvizshmëri dhe manovrim të lartë në të gjitha llojet e terrenit dhe kushteve të motit, si dhe për të siguruar mbrojtjen e personelit ndaj armëve të lehta dhe eksplozivëve.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë e cilësoi kë masë si një tjetër arritje historike.

“Sot Këshilli i BE-së miratoi një paketë ndihme prej 13 milionë eurosh për të mbështetur Forcat e Armatosura Shqiptare në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes. Kjo nismë synon të forcojë aftësitë ushtarake të Shqipërisë dhe të rrisë sigurinë rajonale”, thekson Delegacioni i BE.

Mekanizmi Evropian i Paqes u krijua në mars 2021 për financimin e veprimeve në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë për parandalimin e konflikteve, për ruajtjen e paqes dhe për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Në veçanti, Mekanizmi Evropian i Paqes i mundëson BE-së të financojë veprime të projektuara për të forcuar kapacitetet e shteteve të treta dhe organizatave rajonale e ndërkombëtare në lidhje me çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes.

Të ngjajshme