28 Gusht, 2023 - 4:58 pm
Qendra e Sporteve Ujore dhe Kundrimit të Shpendëve e bën edhe më tërheqëse pikën turistike të Shirokës, në Shkodër.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo qendër, ndërsa theksoi se “këtë sezon veror është zgjeruar gama e shërbimeve eko-turistike që ofron kjo qendër, e ngritur 3 vite më parë pranë plazhit publik në Shirokë, falë bashkëpunimit mes bashkisë Shkodër, Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër, shoqatës Well-Point dhe Drini Times me mbështetjen e fondeve të BE-së”.
“Ture me varka, kanoe dhe paddle boards në Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Buna, për shëtitje, peshkim sportiv, kundrimin e shpendëve si dhe aktivitete edukuese dhe sportive për fëmijë dhe të rinj, përmes kampeve verore dhe ekskursioneve të ndryshme, pika e informacionit për turistët janë disa nga mundësitë, që u ofrohen nga kjo qendër pushuesve dhe vizitorëve të Shirokës”, tha Beci.
Vetëm 4 kilometra larg qytetit të Shkodrës, pasi lë Urën e Bunës dhe merr rrugën në të djathtë, të shfaqet Shiroka, një nga lagjet më të veçanta të Shkodrës, e vlerësuar si një prej bukurive mahnitëse të veriut buzë liqenit të Shkodrës dhe rrëzë malit të Taraboshit.
Investimet e viteve të fundit i kanë ndryshuar faqen Shiroksës, duke i dhënë një rrugë të re, pedonalen brigjeve të liqenit, rehabilitimin e plazheve të vogla dhe së fundmi edhe moli për varkat lundruese.
Kjo zonë turistike shquhet për florën dhe faunën e pasur, ku jetojnë në harmoni shumë lloje bimësh, peshqish, shpendësh dhe kafshësh. Pjesa më e madhe e faunës përbëhet nga shpendët./ atsh / KultPlus.com