Belgjika shpall ditë zie në nderim të viktimave të vërshimeve

17 Korrik, 2021 - 4:31 pm

Belgjika ka shpallur një ditë zie kombëtare për javën e ardhshme, pas vdekjes së 20 personave dhe zhdukjes së 20 të tjerëve nga vërshimet.

“Ato që do të duhej të ishin ditë të bukura vere papritmas u shndërruan në ditë të errëta e jashtëzakonisht të dhimbshme për bashkëqytetarët tanë. Këto janë rrethana të veçanta, të cilat vendi ynë s’i ka parë në të kaluarën”, deklaroi Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo.

Reshjet, që zgjatën një javë, më në fund u ndalën, pasi në disa vende e arritën nivelin që normalisht pritet një herë në 200 vjet. Megjithatë, banorët në disa pjesë të Belgjikës ende nuk ndihen të sigurt, sepse Lumi Meuse po e rrit nivelin e ujit. Ky lumë kalon nëpër qytetin Liege.

“Kemi punuar, kemi renovuar gjithçka, po humbim gjithçka që kemi pasur. Tani duhet të nisim nga zeroja dhe të punojmë pak nga pak për t’i kthyer gjërat në vend”, tha Sylvia Calvo Lorente, përderisa i vëzhgonte dëmet në shtëpinë e saj në qytezën Trooz.

Në qytezën lindore, Verviers, lumi me nivel të rritur të ujit ende po i prekte rrugët, ku njerëzit mundoheshin që t’i shpëtojnë dyqanet, shtëpitë dhe veturat, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Qeveria vendosi që dita e martë të jetë ditë zie dhe që të pakësohen festimet një ditë më pas, kur shënohet Dita Kombëtare e Belgjikës.

Belgjika i ka bërë thirrje për ndihmë mekanizmit të BE-së për mbrojtje civile, duke rezultuar në ndihma nga Franca, Austria e Italia, kryesisht përmes barkave, helikopterëve dhe personelit të kërkim-shpëtimit. / Express / KultPlus.com

Të ngjajshme