Belshi fitues i Çmimit të Dytë si destinacion i Turizmit të Gjelbër në Panairin e Turizmit në Berlin

7 Mars, 2024 - 3:23 pm

“Belshi i Rilindur nga ferrat e plehrat ku e gjetëm kur morëm detyrën, fitoi dje Çmimin e Dytë si destinacion i Turizmit të Gjelbër, mes 100 vendeve të përzgjedhura nga e gjithë bota, në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin.”

Lajmi bëhet i ditur nga kryeministri Edi Rama.

Rama uroi me një postim në rrjete sociale duke vlerësuar me “një super bravo kryetarit të bashkisë Arif Tafani, ekipit simpatik të Bashkisë Belsh, sipërmarrësve të vegjël të Belshit që me investimet e tyre në hoteleri e shërbime po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë, si edhe komunitetit të mirë e mikpritës belshiot”.

Bashkia e Belshit garoi ditën e mërkurë në një nga ceremonitë e Panairit më të madh në botë të turizmit ITB Berlin për çmimin e Bashkisë së Turizmit të Gjelbër.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro si dhe kreu i bashkisë së Belshit, Arif Tafani vlerësuan se investimet e kryera në këtë zonë në vitet e fundit e kanë kthyer Belshin në një destinacion të vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.

“Shqipëria s’mund të përfaqësohej më mirë në këtë garë sesa me Belshin e liqeneve, të turizmit të natyrës e agroturizmit”, tha ministrja Kumbaro.

Ndërsa kreu i bashkisë Arif Tafani bëri thirrje për ta vizituar Belshin jo vetëm për natyrën, por edhe për kulinarinë.

“Ejani në Belsh! Belshi ofron gjithçka, natyrë, liqene, peizazhe dhe kulinari për t’u provuar”, tha ai.

Bashkia e Belshit shtrihet në zonën e Dumresë, një zonë e njohur për 84 liqenet karstike dhe me një peizazh tërheqës, transformuar nga njerëzit punëtorë. / KultPlus.com

Të ngjajshme