9 Dhjetor, 2022 - 9:15 am
Bashkia e Belshit është angazhuar me Green Destinations, një program ndërkombëtar për menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në rajon.
Në një postim në rrjetet sociale, kryetari i bashkisë së Bleshit, Arif Tafani tha se “bashkia nënshkroi javën e kaluar një marrëveshje me Spoonbill Nest Innovation Center, Përfaqësuesi i Destinacioneve të Gjelbërta për Shqipërinë, për të filluar punën drejt përmbushjes së kritereve të Global Sustainable Tourism Council (GSTC) (Këshillit Global të Turizmit të Qëndrueshëm) për menaxhimin e qëndrueshëm të turizmit”.
Sipas tij, gjatë vitit të ardhshëm bashkia Belsh do të fokusohet në kriteret bazë, me një synim afatgjatë për marrjen e çmimit të Destinacionit të Gjelbër dhe Certifikimin.
Peizazhet natyrore, vendet historike dhe produktet vendase të Bashkisë Belsh e bëjnë atë një vend ideal për turizmin rural dhe të jashtëm.
Bashkia shpreh nevojën për të zhvilluar turizmin me shumë kujdes dhe vizion afatgjatë, dhe si e tillë ka zgjedhur të ndjekë objektivat e turizmit të qëndrueshëm për të garantuar cilësinë dhe shëndetin e komunitetit dhe ekonomisë lokale për brezat që do të vijnë.
Belshi, një pikë turistike pranë qytetit të Elbasanit, mund të vizitohet në çdo stinë.
Projektet e “Rilindjes Urbane” kanë transformuar Belshin, ku vitet e fundit janë ndërtuar edhe strukturat e para të agroturizmit, duke i dhënë zhvillim zonës.
85 liqenet karstike të Belshit i vizitojnë veçanërisht turistët e huaj, por vitet e fundit me transformimin që i është bërë kësaj zone me bukuri të jashtëzakonshme natyrore, fluksi i vizitorëve po shtohet edhe me qytetarë shqiptarë, sidomos nga Tirana dhe Durrësi. / atsh / KultPlus.com