1 Korrik, 2024 - 7:01 pm
Autori i njohur, Ben Blushi, pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare ka thënë se dhuntia e tij për të përshkruar bukur edhe gjërat e shëmtuara e bëri atë të pazëvendësueshëm.
Blushi gjithashtu ka thënë së shkrimtari Kadare e futi kombin në borxh duke i dhënë më shumë shpresë dhe besim nga sa ai mund të treste, në kohën kur kombi nuk kishte pothuajse asgjë.
“Unë kurrë nuk do harroj sesi prisja me pasionin e një fëmije, të merrja librat e Ismail Kadaresë dhe që nga ajo ditë nuk kam mbajtur dhe ndoshta nuk do mbaj më kurrë rradhë për të blerë një libër. Të lexoje Ismail Kadarenë nuk ishte vetëm një kënaqësi por ishte një detyrim ndaj kohës. Duke lexuar Ismailin ishe, duke mos e lexuar nuk ishe.Kjo ishte çështja. Kjo ishte koha. Kjo ishte Shqipëria”, ka shkruar Blushi në facebook.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Ben Blushit për Ismail Kadarenë:
Ismail Kadare kishte dhuntinë të përshkruante bukur edhe gjëra të shëmtuara dhe kjo e bëri atë të pazëvendësueshëm për të gjithë ne që kemi jetuar kohë shumë të shëmtuara.
Kur përpiqem ta krahasoj me diçka, mendoj se Ismail Kadare i ngjan një njeriu që jeton duke shpërndarë ëndrra.
Imagjinoni një vend të mbyllur, të lodhur, të izoluar, të rrënuar dhe pa shpresë, në të cilin një njeri shkruan gjatë gjithë ditës dhe natën, deri në mëngjes, hyn nëpër shtëpi dhe lë te koka e krevatit të secilit një ëndërr të shkruar.
Këto ishin librat e tij.
Kaq do mjaftonte që një shkrimtar të iki i qetë se e ka bërë punën e tij ndaj kombit në mënyrë të përkryer.
Ismail Kadare e futi kombin në borxh duke i dhënë më shumë shpresë dhe besim nga sa ai mund të treste, atëherë kur kombi nuk kishte pothuajse asgjë, kur nuk hante, nuk pinte, nuk besonte dhe nuk shihte dritë.
Librat e tij qëndronin mbi tavolinat bosh si uri, si etje, si ujë dhe si bukë.
Unë kurrë nuk do harroj sesi prisja me pasionin e një fëmije, të merrja librat e Ismail Kadaresë dhe që nga ajo ditë nuk kam mbajtur dhe ndoshta nuk do mbaj më kurrë rradhë për të blerë një libër.
Të lexoje Ismail Kadarenë nuk ishte vetëm një kënaqësi por ishte një detyrim ndaj kohës.
Duke lexuar Ismailin ishe, duke mos e lexuar nuk ishe.
Kjo ishte çështja. Kjo ishte koha. Kjo ishte Shqipëria.
Kur e kam njohur nga afër kam kuptuar edhe diçka që ngjyrat verbuese të letërsisë së tij nuk të lejojnë ta shohësh sa duhet. Ismail Kadare u mbrojt me vullnet, me kokëfortësi dhe me kurajo nga sëmundja e shkrimtarëve të mëdhenj : ai nuk u bë kurrë pesimist.
Ai besonte se bota do bëhej më e mirë, se njerëzit do bëheshin më paqësorë, se e ardhmja do ishte më e lumtur, se zilia do kishte fre dhe se e mira do ta mundte të keqen.
Ismail Kadare ishte një njeri që besonte se optimizmni është ilaçi i njerëzimit dhe jam i bindur se iku me këtë bindje.
Tani që ai nuk është më, mungesa e tij është më e madhe se ai vetë./ KultPlus.com