Ben Blushi vjen me botimin e ri ‘Unknown Albanians’! Libri me fotografi pasqyron jetën e thjeshtë të shqiptarëve të zakonshëm

8 Mars, 2025 - 9:54 am

Shkrimtari Ben Blushi ka ndarë lajmin për botimin e librit të tij të ri, titulluar Unknown Albanians (Shqiptarët e Panjohur), një album fotografik që do të promovohet në fund të këtij muaji. Ky botim pasqyron pasionin e Blushit për fotografinë, një pasion që e ka çuar në shumë vende të Shqipërisë për të takuar dhe fotografuar shumë njerëz.

Libri është një akt mirënjohjeje për këta njerëz, të cilët kanë ndihmuar shkrimtarin të zhvillojë aftësitë e tij fotografike. Ata janë personifikimi i Shqipërisë autentike dhe janë të përfshirë në këtë album me 69 fotografi, ku pasqyrohet jeta e tyre e thjeshtë e përditshme. Blushi ka zgjedhur të titullojë librin në anglisht për të mundësuar që këta njerëz, të cilët përfaqësojnë Shqipërinë e vërtetë, të njihet edhe nga vizitorët e huaj që vijnë në Shqipëri.

Në këtë album, janë përfshirë portretet e shqiptarëve që nuk janë të pranishëm në media, nuk janë pjesë e debateve të ditës dhe jetojnë jetën e tyre me thjeshtësi dhe modesti. Disa nga këta njerëz vishen thjesht, nuk kërkojnë asgjë në këmbim dhe nuk bëjnë zhurmë në jetën e të tjerëve. Titulli i librit, Unknoën Albanians, i referohet këtyre njerëzve të panjohur që shpesh janë të padukshëm, por që në realitet janë ata që përfaqësojnë jetën e vërtetë të Shqipërisë.

Libri do të jetë i disponueshëm në libraritë e Tiranës pas datës 25 mars dhe ata që janë të interesuar për një kopje mund t’i drejtohen autorit për të marrë një të tillë. Ky album është një nderim për ata që jetojnë larg vëmendjes së kameras dhe që e bëjnë Shqipërinë të veçantë me jetën e tyre të thjeshtë dhe të sinqertë./balkanweb/ KultPlus.com

Të ngjajshme