1 Qershor, 2021 - 2:51 pm
Era Berisha
Me rastin e 1 qershorit, e konsideruar si dita më e rëndësishme për fëmijët, Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës organizuan një mbledhje solemne pikërisht në këtë ditë ku përveç që ata shpalosën talentin e tyre në piano, ata parashtruan dhe diskutuan probleme dhe tema të ndryshme me Drejtorinë e Kulturës, Drejtorinë për Sport, Drejtorinë e Arsimit, Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Parqeve dhe Drejtorinë e Administratës, shkruan KultPlus.
Asambleja Komunale është konsideruar organi më i lartë i udhëhequr nga fëmijët që ka për qëllim përmirësimin e situatave të ndryshme në të cilën gjenden fëmijët e Prishtinës duke përfshirë këtu: ekspozimin ndaj dhunës në familje, kushtet jo të mira ekonomike, fëmijët që bullizohen pa përkrahje familjare e shumë të tjera.
Kjo ngjarje nisi me fjalimin nga kryetarja e Asamblesë Komunale të fëmijëve të Prishtinës, Era Hysa, e cila foli rreth aktivitete të cilat ata kanë realizuar dhe temat që ata kanë prekur gjatë diskutimeve.
“Asambleja jonë pavarësisht kohës, ka arritur ti mbaj disa takime rreth dy trajnimeve ku trajnimi i parë ka përfshirë shëndetin seksual dhe riprodhues dhe trajnimi i dytë rreth trafikimit me qeniet njerëzore. Po ashtu, janë organizuar disa takime tjera me organizata të ndryshme ku është folur rreth mundësive të ndryshme të bashkëpunimit, takimet me ftesë nga Asambleja Komunale e Fëmijëve në Pejë ku kemi paraqitur punën tonë të deritanishme dhe planet e ardhshme”, thotë Hysa.
Ndërsa, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha, i cili foli rreth rëndësisë së fëmijëve dhe të ardhmes së tyre.
“Fëmijët duhet të mësohen se si të mendojnë dhe jo çka të mendojnë. Është njëra prej thënieve më të rëndësishme sa i përket fëmijëve dhe edukimit. Si Drejtori ne mendojmë që fokusi ynë kryesor duhet të jetë pikërisht në edukimin e gjeneratave të reja që të kemi një zhvillim të jashtëzakonshëm apo atë çka e dëshirojmë si vend dhe shtet” thotë Berisha.
Sipas tij, secili fëmijë do të ketë sfida e vështirësi të ndryshme por një gjë duhet të dihet se i gjithë fokusi duhet të jetë tek fëmijët. Andaj edhe Komuna e Prishtinës në përgjithësi mundohet që fokusin ta ketë në të ardhmen në mënyrë që ajo të jetë sa më e mirë.
“Ne gjithmonë e festojmë ditën e fëmijëve por realisht dita e fëmijëve duhet të jetë çdo ditë”, përfundon Berisha.
Po ashtu, Drejtoresha e Parqeve, Fatime Hajdari, foli rreth rëndësisë së mbjelljes së drunjëve, luleve dhe hapësirave të gjelbërta dhe publike në qytetin e Prishtinës
“Aktivitetet tona përfshijnë shumë fëmijë për arsye se fëmijët janë kryesisht ata që i shfrytëzojnë këto hapësira. Po ashtu, në kuadër të Drejtorisë së Parqeve janë edhe këndet e fëmijëve për të cilat kujdesemi në rast se dëmtohen apo shkatërrohen”, thotë Hajdari.
Sipas saj, është një fatkeqësi që në qytet këto kënde të lojërave apo hapësirat e gjelbëra, degradohen pa qëllim e me rast edhe me qëllim, por e rëndësishme është që mesazhi të përcjellet që të jesh një njeri i mirë, i sjellshëm dhe i kujdesshëm është gjithmonë në modë dhe jo e kundërta.
Pas këtyre fjalimeve, Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës pati rastin që të parashtrojë kërkesa, shqetësime dhe çdo gjë tjetër që ata mendojnë se është dashur të diskutohet.
Pyetjet, kërkesat dhe shqetësimet e tyre të parashtruara ishin rreth këtyre temave: mungesën e psikologëve, mbajtjen e semi maturës dhe ekskursionit, mungesën e fëmijëve gjatë ditëve mësimore në shkolla, ekzistenca dhe mungesa e uniformave në shkolla të ndryshme, mungesa e mjeteve dixhitale në shkolla, mungesa e mjeteve bazike në disa shkolla për zhvillimin e orës mësimore, mungesa e kushteve të nevojshme për kabinetet e lëndëve të ndryshme në shkolla, mungesa e zhvillimit të transportit publik të shpejtë dhe të dobishëm, ndërmarrjet e ndryshme në lidhje me ndotjen e ajrit, kyçja e personave me aftësi të kufizuara në ambientet e shkollës dhe sallave të sportit, përfshirja e aktiviteteve dhe programeve të ndryshme vetëdijësuese për fëmijët, zbatimi i mësimit gjithëpërfshirës, rritja e sigurisë në shkolla dhe masat e ndryshme të ndërmarra si dhe shfrytëzimi i nxënësve me talente në rrjedhën kulturore.
Ndaj këtyre pyetjeve të llojllojshme, të pranishëm për tu përgjigjur ishin përfaqësuesit dhe përgjegjësit e institucioneve si: Drejtoria e Kulturës, Drejtoria e Arsimit, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Administratës, Drejtoria e Sportit dhe Drejtoria e Parqeve, të cilët u përkujdesën rreth brengave dhe shqetësimeve të tyre në kuadër të kulturës, rinisë, edukimit dhe sportit.
Kështu, krejt në fund u ndanë mirënjohje nga drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha për secilin fëmijë të pranishëm nga Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës. Kurse, është bërë e ditur se do të organizohet një ceremoni në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ për të shfrytëzuar hapësirën për dy gjeneratat që kanë humbur mundësinë për të përjetuar mbrëmjen e maturës dhe njëkohësisht që fëmijët ti japin ‘lamtumirën e fundit’ njëri-tjetrit. Po ashtu, është bërë e ditur se këtë vit është menduar planifikimi për ndarjen e 15 bursave për talentet sportive të Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com