5 Shtator, 2019 - 5:52 pm
Profesoresha e muzikës, Besa Luzha, i është bashkuar listës së koalicionit AAK-PSD për zgjedhjet e 6 tetorit.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë me këtë rast se “skenës tonë politike i duhet një personalitet i kompletuar si Besa Luzha, e cila do të ishte vlerë për secilën listë zgjedhore”.
“Besa Luzha, nga Prishtina është nënë e tre fëmijëve, pianiste, pedagoge shumëvjeçare e Universitetit të Prishtinës dhe e para që ka fituar thirrjen akademike Doktor i Edukimit ndërkombëtar në Universitetin e Londrës, i ranguar si i pari ne botë për hulumtimet shkencore në fushën e arsimit. Si studiuese shkencore, në fushën e edukimit muzikor, ka dhënë kontribut të madh në përparimin e statusit dhe të përmbajtjes së edukimit muzikor në Kosovë. Me organizimet e ngjarjeve kulturore të nivelit të lartë artistik e me karakter ndërkombëtar dhe promovues për vendin, Besa shquhet si prijëse e jetës kulturore muzikore në Kosovë”, ka shkruar ai në prezantimin që i ka bërë Luzhës në Facebook.
Haradinaj ka thënë po ashtu se Luzha në 20 vjetët e fundit “është dalluar paralelisht si aktiviste e zëshme në shoqërinë civile, në media dhe si koordinatore e programit dhe aktiviteteve politike e shoqërore në Fondacionin e respektuar Gjerman Friedrich Ebert, me mision promovimin e Demokracisë sociale, lirisë, barazisë dhe pjesëmarrjes aktive qytetare në politikëbërje”.
Ai e ka quajtur vlerë të madhe për AAK-në, ardhjen e Luzhës në listën e koalicionit AAK-PSD, për zgjedhjet e 6 tetorit.
“Besa është zë i fuqishëm avokues për fuqizimin e gruas në shoqëri dhe për avancimin e të drejtave të saj. Ardhja e saj në listën tonë të koalicionit, në cilësinë e profesionistes së shquar dhe aktivistes së zëshme të shoqërisë civile, me një përvojë rreth 20 vjet të angazhimit të saj profesional, me integritet dhe dinjitet e përgjegjësi, është vlerë e madhe për ne”, ka shtuar Haradinaj.
Sipas Haradinajt, kjo ka qenë kërkesë e votuesve të partisë “për të pas në radhët tona sa më shumë kuadro profesionale të fushave të ndryshme dhe gra që kanë dijen, përvojën dhe vendosmërinë për t’u angazhuar politikisht me qëllim të adresimit të sfidave të shumta për vendin tonë”.
“Mirënjohës që personalitete kredibile dhe me integritet nga shoqëria civile, po i bashkohen vizionit tonë për 100% shtet”, ka përfunduar ai.