23 Maj, 2021 - 7:27 pm
Studenti nga Kosova, Besfort Shala është pranuar në Universitetin e Oxford-it për të vijuar studimet e magjistraturës në matematikë, mirëpo për shkak të kosotos së lartë të studimeve atij i duhet ndihmë financiare, shkruan KultPlus.
Për këtë ai së bashku me familjen kanë iniciuar një web faqe për mbledhje fondesh përmes ‘Go Fund Me’, ku secili mund ta ndihmojë Besfortin.
Më poshtë gjeni linkun e ‘Go Fund Me’:
Besfort Shala ka lindur në Prishtinë, ku shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në po këtë qytet. Ai ka qenë shumë aktiv në garat e matematikës duke fituar tre herë radhazi në garat komunale në Prishtinë, kurse në vitin e fundit të shkollimit të mesëm Shala ka fituar një bursë të plotë studimi në matematikë nga Universiteti i Primorskës në Koper, Slloveni, pas garave të mbajtura në Prishtinë.
Gjatë studimeve në Universiteti i Primorskës në Koper, Besfort Shala ka marrë pjesë në dy gara të rëndësishme ndërkombëtare, përkatësisht garën “Vojtech Jarnik” në Çeki ku ka fituar “çertifikatë të garuesit të suksesshëm”, si dhe në garën “International Mathematics Competition (IMC)” në Bullgari ku ka fituar medalje të argjendtë në vitin 2019 si dhe “përmendje nderi (honorable mention)” në vitin 2020. Pas përfundimit të vitit të parë të studimeve, për këto suksese në gara ndërkombëtare si dhe për shkak të suksesit akademik, ai është shpërblyer nga fakulteti me arsyetimin “arritje të larta akademike dhe suksese në gara ndërkombëtare (outstanding academic achievements and successes in international competitions)”.
Shala tashmë është pranuar në Universitetin e Oxford-it në Angli dhe ai synon që t’i vazhdoj studimet në po këtë universitet, por për këtë i duhet ndihma financiare nga kontribuues dhe donatorë të cilët do të mundësonin mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të shkollimit./ KultPlus.com